vala – old
driloni com
vipa
Fillimi / Personalitete / Kostandin Kristoforidhi (1827 – 1895)
Kostandin Kristoforidhi (1827 – 1895)

Kostandin Kristoforidhi (1827 – 1895)

Kostandin Kristoforidhi u lind në Elbasan, në vitin 1827. Pasi kreu mësimet fillestare në vitin 1847 u regjistrua në gjimnazin Zosimea të Janinës, Asokohe, si student u njoftua me albanologun e madh gjerman, Johan Georg von Hahn,  i cili kishte arritur në Shqipëri për të studiuar shqipen e për të hartuar një fjalor shqip-gjermanisht.

Në vitin 1857, Kristoforidhi shkoi në Stamboll, me qëllim   dhe për të treguar nevojën e një pune të re me përkthimet shqipe ku edhe hartoi një Memorandum për gjuhën shqipe. Qëndroi në Maltë deri më 1860 në një seminar protestant dhe ndërkohë përfundoi përkthimin e Dhiatës së re toskërisht e gegërisht.

Kristoforidhi ishte studiues i shquar i gjuhës shqipe, veprimtar i Rilindjes Kombëtare, i arsimit dhe i kulturës shqiptare në përgjithësi.

Paraqiti disa nga idetë e rilindësve për njësinë e Shqipërisë autonome, për lashtësinë e virtytet e shqiptarëve, si edhe gjendjen e arsimit e të dialekteve të shqipes në punimin Shënime mbi Shqipërinë, gjuha dhe përkthimi i shkrimeve të shenjta (1860). U vendos mësues në Tunis deri më 1865, kur hyri në marrëdhënie me përfaqësuesin e Shoqërisë Biblike të Londrës në Stamboll. Botoi më 1866 përkthimin e parë gegërisht “Katër Ungjijtë dhe punët e Apostujve” dhe vijoi për shumë vjet përkthimet: Psallmet (1868 toskërisht, 1869 gegërisht), Dhiata e re (gegërisht 1869, toskërisht 1879), Të bërët dhe të dalët (toskërisht 1880), Bleni i dytë (toskërisht 1882) Fjalët e urta të Solomonit dhe Bibla  e Isaisë (toskërisht 1884). Ka lënë dorëshkrim Krijesa dhe të dalët gegërisht, si edhe disa shkrime të tjera që nuk janë gjetur. Udhëtoi disa herë nëpër Shqipëri që nga viti 1870 për të mbledhur fjalë e shprehje nga goja e popullit, për të përhapur librat e vet dhe për t’u mësuar bashkatdhetarëve shqipen letrare. Shoqëria Biblike i ndërpreu marrëdhëniet me të më 1874 pa paralajmërim, sepse u vërtetua që ai nuk besonte në frymëzimin hyjnor të Biblës. U detyrua të shiste dru e qymyr e të hapte një pijetore në Tiranë, por jepte fshehurazi mësime të shqipes. Në vitin 1884 u vendos në Elbasan, ku vijoi të jepte shqipen fshehurazi derisa vdiq.

Veprimtaria e tij themelore ishte në dy fusha të lidhura ngushtë: për gjuhën dhe për shkollën shqipe. Botoi më 1867 Abetaren gegërisht, më 1868 toskërisht dhe libra të vegjël për nxënësit. Bashkë me atdhetarë të tjerë mori pjesë në Komisionin për alfabetin e për arsimin më 1867 në Stamboll dhe i vazhdoi më pas përpjekjet e përbashkëta për alfabetin. U përpoq me Hasan Tahsinin e të tjerë të përparonte shkollën shqipe. Idetë më të rëndësishme i ka shprehur në një letër drejtuar Nikolla Naços, në vitin  1888.

Vepra themelore e Kostandin Kristoforidhit, për të cilën punoi gjithë jetën, është “Fjalori i gjuhës shqipe”. Më 1882 botoi Gramatikën e gjuhës shqipe sipas dialektit toskë. Ka lënë edhe disa dorëshkrime me shënime gjuhësore. Përkrahte teorinë për prejardhjen pellazge të shqipes. Nxori në dritë vlera të shumta të visareve të gjuhës së popullit, dha ndihmesë të veçantë për pastërtinë e gjuhës dhe dëshmoi se dialektet  nuk kishin dallime të mëdha. Me lëvrimin që i bëri gjuhës shqipe në përkthimet e në veprat e tjera ndihmoi për themelimin e gjuhës letrare kombëtare. Provoi prozën me tregimin e shkurtër, “Gjahu i malësorëve”, “Hieja e Tomorit” (botuar më 1902). Punoi për një sistem arsimor kombëtar, të mbështetur në një pedagogji e didaktikë përparimtare demokratike.

Në pikëpamjet politiko-shoqërore Kostandin Kristoforidhi ishte iluminist demokrat. Si rrugë kryesore shihte zgjimin kombëtar nëpërmjet shkollës e kulturës dhe gjuhën amtare e shihte si mjetin më të rëndësishëm për përparimin kombëtar. Ishte ndër përfaqësuesit e parë që u bënë shprehësit ideorë të lëvizjes kombëtare dhe bëri përpjekje për ta vënë në jetë programin e rilindësve në fushën e kulturës e të arsimit. Ai vdiq në vitin 1895.

Kontrolloni gjithashtu

Xheladin Beqiri (1905-1944) heroi nga Gjilani që iu bashkua Luftës Antifashiste në Kurvelesh të Labërisë

Xheladin Beqiri (1905-1944) heroi nga Gjilani që iu bashkua Luftës Antifashiste në Kurvelesh të Labërisë

Për dëshmorët e atdheut është shkruar e do shkruhet gjithmonë. Në çdo varg të shkruar, ...