Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar raportin e paaudituar të deklarimit financiar të fushatës zgjedhore të subjekteve politike për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025. Mes të dhënave, janë bërë publike shpenzimet e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka shpërndarë shifra të detajuara për shpenzimet e saj. Sipas raportit, VV ka deklaruar shpenzime për pagat dhe kompenzimet, pagesat për vëzhguesit dhe “beneficione të tjera”, të cilat arrijnë në rreth 37 mijë euro. Shpenzimet për transportin janë gjithashtu të konsiderueshme, duke kaluar 199 mijë euro. LVV ka shpenzuar mbi 1.1 milionë euro për ushqimin, spotet televizive dhe reklamat, si dhe për organizimin e aktiviteteve të ndryshme, përfshirë konferenca dhe reprezentacione. Raporti i KQZ-së gjithashtu zbulon një shumë të konsiderueshme prej 212 mijë eurosh për gjobat e vendosura ndaj VV-së. Në total, gjatë periudhës nga 16 gushti 2024 deri më 9 shkurt 2025, Lëvizja Vetëvendosje ka shpenzuar më shumë se 1.7 milionë euro për fushatën zgjedhore.
