leoni

KQZ refuzon 28% të aplikimeve për votim nga jashtë Kosovës

KQZ refuzon 28% të aplikimeve për votim nga jashtë Kosovës

Që nga data 23 korrik, kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) hapi periudhën e aplikimit për regjistrim si votues jashtë vendit për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, deri më sot në orën 09:00 janë pranuar gjithsej 1,729 aplikime. Prej tyre, 1,239 janë aprovuar, ndërsa 490 janë refuzuar – që përbën rreth 28% të aplikimeve të përgjithshme.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar për RTK-në se procesi i aplikimit mbetet i hapur deri më 29 gusht dhe ka sqaruar arsyet më të shpeshta të refuzimit të aplikimeve.

“Sipas të dhënave deri më tani, shumica e aplikimeve janë refuzuar për shkak se aplikuesit nuk kanë bashkëngjitur dokumentacionin që dëshmon adresën e tyre jashtë Kosovës. Këtu përfshihen: dokument identifikues me adresën e banimit, vërtetim nga autoritetet lokale, kontratë qiraje, faturë të shërbimeve, dokument bankar ose sigurimi, dëshmi e vendbanimit tek një person tjetër (si mikpritës), ose prova të tjera specifike si rezervim hoteli apo konvikti”, tha Elezi.

Ai theksoi se procesi nuk është përjashtues, pasi aplikuesit që janë refuzuar kanë mundësi të riaplikojnë pasi të kenë përmbushur kriteret e kërkuara.

“Në rast refuzimi, aplikimi nuk konsiderohet i mbyllur përfundimisht. KQZ-ja do të njoftojë personalisht çdo aplikues për arsyet e refuzimit dhe do t’u mundësojë riaplikimin përmes platformës elektronike, duke bashkëngjitur dokumentet përkatëse. Kjo do të jetë e mundur gjatë gjithë periudhës së hapur për regjistrim”, sqaroi ai më tej.

Sa i përket balotazhit në rast se ndodh në ndonjë komunë, Elezi bëri të ditur se nuk do të ketë nevojë për regjistrim të ri të votuesve nga jashtë.

“Për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar komune, të drejtë vote do të kenë vetëm ata që janë regjistruar me sukses si votues jashtë vendit gjatë kësaj periudhe aplikimi dhe vetëm në komunat ku do të zhvillohet balotazhi. Lista e njëjtë e votuesve do të përdoret edhe në këtë rast”, shpjegoi Elezi.

Ai rikujtoi gjithashtu se, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, votimi për zgjedhjet lokale nga jashtë Kosovës mund të bëhet vetëm përmes postës. Votimi në përfaqësitë diplomatike nuk aplikohet në këtë rast.

“KQZ do të hapë kuti postare në shtete të ndryshme ku votuesit jashtë vendit do të mund të dërgojnë pakot me fletëvotime”, tha Elezi.

Për fund, ai kujtoi se aplikimi për regjistrim është individual dhe mund të bëhet deri më 29 gusht, përmes platformës elektronike të KQZ-së: https://diaspora.kqz-ks.org, ose duke dërguar aplikimin me postë në adresën zyrtare të KQZ-së në Kosovë.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi i Kosovës, nuk dha pëlqimin për renovimin e sheshit “Adem Jashari”, në Prishtinë

Sindikata e sektorit privat të Kosovës ka bërë padi penale në Gjykatën Themelore në Prishtinë

Sindikata e sektorit privat të Kosovës ka bërë padi penale në Gjykatën Themelore në Prishtinë. …