Krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi – kanë refuzuar një takim me Avokatin e Popullit të Gjykatës Speciale në Hagë. Sipas burimeve të gazetës “Nacionale”, të katërt kanë deklaruar se nuk kanë arsye të takohen me Ombudspersonin, pasi – siç thonë ata – ai ka heshtur përballë shkeljeve serioze që janë bërë ndaj tyre në paraburgim. Ata e kanë akuzuar Avokatin e Popullit për neglizhencë dhe për cenim të të drejtave të tyre themelore. Sipas tyre, shkeljet janë të rënda dhe përfshijnë edhe trajtime çnjerëzore nga ana e Njësisë së Paraburgimit. Po ashtu, krerët e UÇK-së kanë kritikuar një deklaratë të tij të dhënë më parë në media, ku ankesat e tyre i kishte paraqitur si thjesht “ankesa për ushqim dhe rregullat e burgut”. Ata thonë se kjo është një shtrembërim i realitetit dhe nuk pasqyron në asnjë mënyrë gjendjen e tyre të vërtetë. Ndërkohë, Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj, ka kritikuar ashpër trajtimin që po u bëhet të akuzuarve në Hagë, duke e quajtur Ombudspersonin e Gjykatës Speciale të varur dhe jo të pavarur, për sa kohë është pjesë e strukturës së Dhomave të Specializuara.
