Përplasjet politike në Kosovë po prodhojnë pasoja që shkojnë përtej skenës së brendshme politike, duke vënë në pikëpyetje edhe realizimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe bashkëpunimin me partnerët strategjikë. Mosfunksionimi i Kuvendit, i shkaktuar nga kontestimi në Gjykatën Kushtetuese i dekretit për shpërndarjen e legjislaturës së dhjetë, ka bllokuar procesin e ratifikimit të disa marrëveshjeve të rëndësishme ndërkombëtare. Këto marrëveshje përfshijnë projekte infrastrukturore, energjetike dhe bashkëpunimi rajonal, të cilat kërkojnë miratim me dy të tretat e votave të deputetëve. Ndërsa partnerët ndërkombëtarë zakonisht tregojnë mirëkuptim për krizat e brendshme politike, vazhdimi i bllokadave institucionale mund të ndikojë në ritmin e bashkëpunimit dhe në besimin ndaj institucioneve të Kosovës për zbatimin e projekteve të përbashkëta. Kjo situatë nxjerr në pah një problem strukturor të politikës kosovare: mungesën e konsensusit minimal për çështjet strategjike të shtetit. Përderisa marrëveshjet ndërkombëtare zakonisht konsiderohen çështje mbi partitë politike, në praktikë ato shpesh përfundojnë të bllokuara nga përplasjet politike. Në këtë kontekst, analistët theksojnë se lidershipi politik duhet të tregojë më shumë përgjegjësi institucionale dhe të ndërtojë konsensus për projekte që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik dhe në reputacionin ndërkombëtar të Kosovës. / ReL/
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
