Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” ka ndërprerë grumbullimin e mbeturinave në Prishtinë, për shkak të borxhit të komunës ndaj kësaj ndërmarrje. Sipas një komunikate nga “Pastrimi”, Komuna e Prishtinës i detyrohet atyre 2.7 milionë euro. Për shkak të mos pagesës për tash e 5 muaj, KRM “Pastrimi” ka thënë se janë të detyruar që ta ndërpresin punën.
“Kompania Rajonale e Mbeturinave Pastrimi SH.A. njofton qytetarët se për shkak të mospagesës së borxhit nga Komuna e Prishtinës në vlerë prej 2.7 milionë euro, është e detyruar të ndërpresë ofrimin e shërbimit të grumbullimit të mbeturinave në territorin e Komunës së Prishtinës. Për më shumë se pesë muaj, Komuna nuk ka përmbushur obligimet financiare ndaj kompanisë, pavarësisht kërkesave tona të vazhdueshme dhe paralajmërimeve të përsëritura. Kjo situatë e ka bërë të pamundur mbulimin e kostove operative dhe vazhdimin normal të ofrimit të shërbimeve. Pastrimi SH.A. i bën thirrje Komunës së Prishtinës që të veproj urgjentisht në shlyerjen e menjëhershme të detyrimeve dhe të rivendosë bashkëpunimin institucional në funksion të garantimit të shërbimeve bazike për qytetarët e kryeqytetit”, thuhet në komunikatën e tyre.