Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, me rastin e festës së Fitër Bajramit, ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës. Me këtë rast ai tha se detyrë e institucioneve është që të mundësojnë lirinë e besimit për të gjithë njerëzit. “E kam nderin edhe në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës të uroj Myftiun Tërnava me gjithë kolegët e Bashkësisë Islame të Kosovës, të gjithë besimtarët e Kosovës, bashkëkombësit tanë, të gjithë ata që e festojnë sot festën e Bajramit. E vërtetë është se gjatë muajit të Ramazanit kemi pasur rastin me qenë në disa raste bashkë me e përjetua edhe një ndjenjë të një solidariteti dhe respekti të ndërsjellë dhe sot ne jemi të gëzuar të gjithë urimet më të mira për gjithë qytetarët e Kosovës. Detyra e institucioneve tona është po ashtu me e mundësua lirinë e besimit që njerëzit me lirinë e me të drejtën që iu jep Kushtetuta e ligji, me pas të drejtë edhe në besim edhe me e zbatua besimin në bazë të bindjeve të tyre”, tha kryeministri.
