Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti në takim Drejtorin Rajonal të Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, Matteo Colangjeli së bashku me drejtorin e aktual të këtij institucioni në Kosovë, Neil Tejlor dhe drejtorin e ri, Sergej Masliçenko. Diskutuan për bashkëpunimin e deritanishëm, projektet që janë në zbatim e sipër me mbështetje të BERZH-it, si dhe për mundësitë e reja të bashkëpunimit. Gjatë takimit, kryeministri falënderoi Drejtorin e deritanishëm në Kosovë, Neil Taylor për bashkëpunimin e afërt dhe i uroi suksese në angazhimin e radhës, teksa i uroi mirëseardhje z. Masliçenko. Nga kryeministri u theksuan veçanërisht projektet si ai i rehabilitimit të hekurudhës, përkatësisht për sinjalizim dhe telekomunikim në kuadër të saj, impiantet për trajtimin e ujërave të zeza në Gjilan dhe Mitrovicë, dhe projektet e efiçiencës energjetike me komunën e Prishtinës dhe Prizrenit, për të cilat projekte Qeveria e Kosovës po bashkëpunon me BERZH-in.
