leoni

Kryeministri, Mustafa takoi delegacionin e euro-deputetëve

Kryeministri, Mustafa takoi delegacionin e euro-deputetëve

Kryeministri, Isa Mustafa priti sot delegacionin e Parlamentit Evropian, i cili po qëndron në vendin tonë me rastin e takimit të Komisionit Parlamentar BE-Kosovë për Stabilizim-Asocim. Siç saktësohet në kumtesën e kryeministrisë, në përbërje të delegacionit evropian të kryesuar nga Tonino Picula, ishin zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek, europarlamentarët Dubravka Suica, Tanja Fajon, Jozo Rados, Georgios Kyrtsos dhe Julie Ward. Në këtë takim, kryeministri Mustafa i njoftoi ata për përparimet e shënuara në Kosovë, me theks të posaçëm anëtarësimin e vendit në organizatat evropiane dhe ndërkombëtare. Duke folur mbi hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, kreu i Qeverisë tha se ky dokument kontraktual i hap Kosovës një perspektivë të fuqishme ekonomike, politike dhe në proceset tjera evropiane. Kryeministri Mustafa theksoi edhe synimet e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e shtetit ligjor, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe për heqjen e njollës së korrupsionit dhe stigmatizimit që i është bërë Kosovës në këtë drejtim. Anëtarët e delegacionit të Parlamentit Evropian dhanë vlerësimet dhe sugjerimet e tyre për proceset që lidhen me zbatimin e MSA-së dhe zhvillimet tjera, duke shprehur përkrahjen e tyre për Kosovën në këtë rrugë.

Kontrolloni gjithashtu

Mjet i pashpërthyer i Luftës së Dytë Botërore gjendet në pyllin e Kaçanikut

Një qytetar nga Kaçaniku ka raportuar të enjten në polici se kishte hasur në një …