Kuvendi i Komunës së Malishevës mbajti sot mbledhjen e dytë të rregullt për këtë vit, ku u trajtuan një sërë çështjesh me rëndësi për komunën. Ndër më shumë se 20 pika të rendit të ditës që janë trajtuar sot, një ndër më të rëndësishmet ishte prezantimi i raportit vjetor të punës për vitin 2024 nga kryetari i komunës dhe drejtoritë komunale.
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, prezantoi në mënyrë kronologjike të arriturat dhe angazhimet e qeverisë komunale për vitin 2024. Ai veçoi si projektin më të madh ndërtimin e parkut dhe parkingut nëntokësor në Malishevë, i cili tashmë është drejt përfundimit dhe po realizohet sipas planifikimit të paraparë.
Gjithashtu, Kryetari Kastrati foli edhe për mbështetjet e dhëna në fusha të ndryshme, përfshirë subvencionet në bujqësi dhe nisma të tjera që synojnë zhvillimin dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve. Ai u përgjigj edhe në pyetjet e parashtruara nga anëtarët e Kuvendit.
Në këtë mbledhje, Kuvendi i Komunës miratoi pesë kërkesa të qytetarëve, vendosi për bartjen e të hyrave vetanake nga viti 2024 në 2025, shqyrtoi raportin financiar tremujor dhe miratoi planin trevjeçar të veprimit për banimin social.
Një vendim i veçantë ishte formimi i Këshillit Organizativ për shënimin e 16 Qershorit – Ditës së Dëshmorëve dhe Ditës së Çlirimit të Komunës së Malishevës.
Po ashtu, Kuvendi miratoi kërkesat për dhënien në shfrytëzim të pronës publike dhe formimin e komisionit përkatës për këtë çështje, si dhe vendosi për përfundimin e procedurës së këmbimit të pronës publike me atë private.
U miratuan edhe dhënia në shfrytëzim afatgjatë e një prone, formimi i komisionit për shpalljen me interes publik të një zone të caktuar, dhe dhënia në shfrytëzim afatshkurtër e një zone për deponi mbeturinash, së bashku me formimin e komisionit përkatës për zhvillimin e procedurave.
Në fund, Kuvendi miratoi edhe kërkesën e kryesisë së fshatit Bellanicë për bashkimin e tri parcelave në një të vetme, për nevoja të komunitetit.