Me ftesë të kryetares së Komunës së Saint-Julien-en-Genevois,znj. Véronique Lecauchois kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, po zhvillon një vizitë zyrtare në këtë qytet francez, ku është pritur me nderime të veçanta nga autoritetet lokale. Gjatë qëndrimit të tij, kryetari Haliti ka mbajtur një fjalë rasti në Asamblenë e Komunës dhe ka marrë pjesë në një pritje zyrtare të organizuar në nder të tij dhe delegacionit që e shoqëron.
Në delegacionin nga Vitia po marrin pjesë edhe Naim Pira, drejtor për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, si dhe Milihate Ajeti, drejtoreshë për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim. Gjatë vizitës, delegacioni ka zhvilluar takime me përfaqësues të qytetit nikoqir, ku është diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme si zhvillimi ekonomik lokal, arsimi, kultura dhe shkëmbimet rinore.
Në fokus të veçantë ka qenë edhe ideja e binjakëzimit mes Komunës së Vitisë dhe Saint-Julien-en-Genevois, si një hap i rëndësishëm për forcimin dhe zyrtarizimin e marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë mes qytetarëve të të dy komunave.
Kryetari Haliti u shpreh se kjo vizitë është një mundësi e mirë për të avancuar bashkëpunimin dhe për të ndërtuar ura të reja në shërbim të qytetarëve. Ai gjithashtu ka vizituar institucione lokale dhe ka marrë pjesë në aktivitete të ndryshme që pasqyrojnë vullnetin e përbashkët për bashkëpunim afatgjatë dhe të qëndrueshëm.