Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, me bashkëpunëtor, ka pritur sot në takim Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës, Faton Peci. Gjatë këtij takimi është diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit mes MBZHR-së dhe komunës së Vitisë në interes të zhvillimit të sektorëve të ndryshëm bujqësor. Kryetari Haliti fillimisht e ka njoftuar Ministrin Peci për mundësitë e zhvillimit bujqësor të komunës së Vitisë, duke e cilësuar Vitinë si hambarë të Anamoravës për shkak të cilësisë së lartë të tokës që ka kjo komunë. “Vitia është e njohur për prodhimtari bujqësore dhe ndryshe quhet hambarë i Anamoravës. Kjo komunë nuk është vetëm e njohur për kulturat lavërtare por edhe për kulturat pemëtare, blegtorale dhe të sektorëve të tjerë” u shpreh kryetari Haliti. Ai foli edhe për takimin që kanë zhvilluar ata sot me ministrin Peci. “Sot kemi bashkëbiseduar me ministrin për shumë aspekte, në sferën e bujqësisë si në nivel vendi ashtu edhe në nivel komunal, për problematikat, deficitet dhe nevojat që i kemi për projekte si për sistemin e ujitjes që jashtëzakonisht kemi nevojë shumë por edhe për subvencionime të tjera të fermerëve” theksoj Haliti duke përmendur edhe potencialet e mira që ka Vitia si hidroekonimike, të traditës bujqësore dhe organizimit të përbashkët të fermerëve në shoqata. I pari i komunës tha se ai gjithashtu e ka njoftuar ministrin edhe me subvencionimin dhe përkrahjen që jep komuna e Vitisë nga buxheti i saj fermerëve, ndonëse sipas tij buxheti komunal është i vogël në krahasim me kërkesat dhe nevojat.

Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
