Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është pritur në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, pak pas vendimit të Amerikës për pezullimin e dialogut strategjik me Kosovën. Ai hyri në ambasadë rreth orës 15:00.
Më herët, Abdixhiku reagoi në Facebook duke theksuar nevojën për bashkëpunim politik: “Koha të bëhemi bashkë dhe t’i japim fund kësaj çmendurie politike.” Ai e konsideroi pezullimin e dialogut si pikën më të ulët të marrëdhënieve me aleatin strategjik dhe ekzistencial të Kosovës.
Kreu i LDK-së kritikoi ashpër qeverinë Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje: “Shkatërruesit e shtetit, bllokuesit historik, shkelësit e Kushtetutës, ligjeve dhe normave morale njerëzore, kanë zgjedhur të ndërtojnë rrugëtimin e tyre mbi krizën e përhershme, frikën e pashtershme dhe fatkeqësinë e Republikës.”