Kryetari Kastrati përkrah fushatën “Mos hesht” për parandalimin e trafikimit me qenie njerëzore

Në kuadër të fushatës nacionale për parandalimin e trafikimit të njerëzve, edhe në Komunën e Malishevës do të zhvillohen aktivitete vetëdijësuese me moton “Mos hesht”. Kjo fushatë ka për qëllim ngritjen e vetëdijes tek qytetarët, veçanërisht tek të rinjtë, për rreziqet dhe mënyrat e mbrojtjes nga trafikimi me qenie njerëzore.

Në kuadër të aktiviteteve që do të zhvillohen, janë planifikuar orë mësimore nëpër shkollat e komunës me temën: “Mbrojtja dhe Parandalimi nga Trafikimi me Qenie Njerëzore”, ku nxënësit do të informohen mbi format e trafikimit dhe institucionet ku mund të kërkojnë ndihmë.

Këtë nismë e ka përkrahur fuqishëm kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, i cili ka ofruar mbështetjen e plotë institucionale për realizimin e fushatës. Me këtë rast, ai ka pritur në takim koordinatoren për të drejta të njeriut dhe barazi gjinore, znj. Vera Bytyçi, bartëse e fushatës, Halit Mazreku, koordinator i Keshillit Komunal per Siguri ne Bashkesi si dhe Sabit Berisha, ushtrues detyre i drejtorit të Drejtorisë për Arsim dhe Edukim ne komunen e Malisheves.

Gjatë takimit, kryetari Kastrati foli për rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për të parandaluar fenomenin e trafikimit me qenie njerëzore, duke vënë në pah rolin e shkollave dhe institucioneve lokale në procesin e vetëdijesimit. “Parandalimi i trafikimit me qenie njerëzore është përgjegjësi e përbashkët. Si komunë, jemi të përkushtuar të mbështesim çdo iniciativë që synon mbrojtjen e qytetarëve tanë, veçanërisht të rinisë. Vetëdijesimi dhe edukimi janë armët më të forta kundër këtij fenomeni.”

Fushata “Mos hesht” pritet të zhvillohet gjatë ditëve në vijim në disa institucione arsimore dhe publike të komunës, duke përfshirë ligjërata, diskutime dhe aktivitete ndërgjegjësuese për të inkurajuar raportimin e rasteve të dyshimta dhe për të promovuar mbrojtjen e dinjitetit njerëzor.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Sokol Haliti falenderon nga zemra Mërgatën tonë të jashtëzakonshme

Kryetari i komunës së Vitisë, z. Sokol Haliti pas numërimit të votave të ardhura me …