Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, së bashku me anëtarët e Shtabit Emergjent Komunal, priti sot në takim përfaqësuesit e Komisionit Qendror për Vlerësimin dhe Monitorimin e Fatkeqësive Natyrore dhe Fatkeqësive të tjera, të prirë nga Kastriot Lajqi, kryesues i komisionit qeveritar për vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera, së bashku me bashkëpunëtorët e tij.
Gjatë takimit u diskutua për gjendjen aktuale në komunë, masat parandaluese, gatishmërinë institucionale dhe koordinimin ndërinstitucional në rast të situatave emergjente.
Palët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm mes nivelit qendror dhe atij lokal, me qëllim të reagimit të shpejtë dhe efikas për mbrojtjen e qytetarëve dhe pronës publike e private.
Kryetari Kastrati shprehu gatishmërinë e Komunës së Malishevës për të zbatuar rekomandimet profesionale dhe për të forcuar kapacitetet e Shtabit Emergjent, duke garantuar transparencë, përgjegjësi dhe koordinim në çdo fazë të menaxhimit të fatkeqësive.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Komisionit Qendror vlerësuan angazhimin e institucioneve komunale dhe theksuan se monitorimi, planifikimi dhe vlerësimi i rreziqeve mbeten elemente kyçe për parandalimin dhe menaxhimin e suksesshëm të situatave emergjente.
Takimi përfundoi me zotimin për bashkëpunim të vazhdueshëm dhe për veprime të përbashkëta në funksion të sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve.