Kryetari i Komunës së Malishevës, z.Ekrem Kastrati, gjatë javës ka pritur në një takim pune përfaqësuesin e EAA-së (Agjencia Ndërqeveritare Evropiane), z. Avnia Nasufoski, si dhe z. Safet Sadiku, zyrtar i kompanisë zvicerane “Planete Constructions SARL”. Në këtë takim ata shoqëroheshin nga z. Haxhi Berisha, përmes së cilit ata vizituan Komunën e Malishevës.
Qëllimi i këtij takimi ishte njoftimi i ndërsjellë lidhur me nevojat që ka Komuna e Malishevës për investime në furnizimin me ujë të pijes, si dhe me mundësitë që ofron kjo agjenci dhe kompania zvicerane për sigurimin e fondeve nga organizatat ndërkombëtare për investime në këtë fushë.
Kryetari Kastrati i falënderoi mysafirët për vizitën dhe interesimin e tyre dhe i njoftoi ata me gjendjen aktuale të furnizimit me ujë të pijes në Malishevë, përpjekjet që po bëhen për përmirësimin e saj, si dhe potencialin që ka komuna për zhvillimin e projekteve në këtë sektor.
Nga ana tjetër, z. Avnia Nasufoski, i cili njëherësh është edhe ambasador pranë OKB-së për 35 shtete afrikane në cilësinë e vëzhguesit, deklaroi se janë të interesuar të njihen nga afër me situatën në terren dhe me mundësitë konkrete për investime në furnizimin me ujë të pijes sipas standardeve bashkëkohore, si dhe në trajtimin e ujërave të ndotura.