Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, mori pjesë sot në një debat me nxënësit gjimnazistë të Malishevës dhe të komunave të tjera, në kuadër të programit “Promovimi i mendimit kritik dhe aktivizmit qytetar tek të rinjtë”, i organizuar nga organizata “Teach for Kosova”.
Gjatë këtij bashkëbisedimi, kryetari Kastrati i përgëzoi nxënësit për suksesin e arritur në këtë program, ku gjimnazistët e Malishevës kanë zënë vendin e parë në nivel vendi për mendimin kritik. Ai theksoi se zhvillimi i kapaciteteve të të rinjve është një arritje e rëndësishme për përparimin e tyre të përgjithshëm.
Më pas u zhvillua një debat i hapur, ku të rinjtë e shkollave të mesme parashtruan pyetje të ndryshme, të cilave iu përgjigj kryetari Kastrati. Pyetjet prekën tema që nga fëmijëria dhe shkollimi i tij, deri te angazhimi aktual në drejtimin e komunës.
Me këtë rast, kryetari Kastrati ndau edhe këshilla për të rinjtë, duke i inkurajuar të angazhohen në aktivitete kulturore, arsimore dhe sportive, si dhe të lexojnë sa më shumë, pasi kjo ndihmon në përgatitjen e tyre për jetën. Ai gjithashtu i këshilloi që studimet t’i ndjekin në fushat ku kanë prirje, në mënyrë që të zhvillohen profesionalisht dhe të arrijnë synimet e tyre.