Në 26-vjetorin e rënies, kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi ka përkujtuar të rënët në Betejën e Jeshkovës së Vërrinit, dëshmorët Hysen Rexhepi, komandant i Njësisë Speciale të Brigadës 125, Alajdin Xhezairi, Ymridin Qengaj, Besnik Kastrati, Tahir Gashi, Bashkim Suka, Skender Latifi, Feriz Susuri, Hamit Thaçi dhe Hajdar Shala.
Postimi i kryetarit Latifi:
Më 11 mars 1999, në Betejën e Jeshkovës (Gjeç) së Vërrinit, ranë trimërisht luftëtarët: Hysen Rexhepi, komandant i Njësisë Speciale të Brigadës 125, Alajdin Xhezairi, Ymridin Qengaj, Besnik Kastrati, Tahir Gashi, Bashkim Suka, Skender Latifi, Feriz Susuri, Hamit Thaçi dhe Hajdar Shala.
“Beteja ishte e ashpër dhe u zhvillua në rrethana tepër të rënda dhe të pabarabarta. Qëllimi i Hysen Rexhepit me shokë ishte krijimi i kushteve për riorganizim dhe fuqizim të UÇK-së. Përkundër që ata ishin të rrethuar nga forca të mëdha të pushtuesit, nuk u dhanë, por luftuan deri në frymën e fundit.
Ranë burrërisht për një ideal të lartë dhe qëllim të vetëm, çlirimin e atdheut nga robëria.
E njoha Hysen Rexhepin e Prizrenit (me prejardhje nga Celina) qysh në vitin 1990, nëpërmjet aktivitetit që bënim në kuadër të Unionit të Pavarur të nxënësve të shkollave të mesme të Kosovës. Ishim të organizuar në LPRK – Këshilli i të Rinjve, ku arritëm të krijojmë lidhje të gjallë e të fuqishme pothuajse me të gjitha shkollat e mesme të Kosovës. Më pas, lidhjet tona me Hysenin kanë ardhur duke u forcuar. Hyseni ishte i përcaktuar herët që të ecte në rrugën e nderit. Ai kishte mbajtur lidhje edhe me profesorin atdhetar, Xhemajli Berishën, i cili më pas u dëshmua për qëndresën e tij, duke u bërë hero i heshtur deri në flijim përballë torturave çnjerëzore të xhelatëve të UDB-së.

Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
