Kryetari i komunës së Deçanit, z. Bashkim Ramosaj ka pritur në takim, Koordinatorin e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, z. Stephen O’Malley, i cili shoqërohej nga përfaqësues të agjencive të OKB-së.
Gjatë takimit ka shkruar Ramosaj është biseduar për zhvillimet në komunën e Deçanit dhe mundësitë e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, me theks të veçantë në zhvillimin ekonomik lokal, turizmin dhe projektet që ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Një pjesë e veçantë e takimit iu kushtua fuqizimit të grave dhe promovimit të barazisë gjinore. Shefja e Zyrës së UN Women në Kosovë, Vlora Tuzi Nushi, prezantoi projektet dhe programet që kjo agjenci zbaton në mbështetje të grave dhe avancimin e barazisë gjinore.
Kryetari Ramosaj ka falënderuar z. O’Malley dhe delegacionin e OKB-së për vizitën dhe gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin me Komunën e Deçanit, në shërbim të zhvillimit dhe mirëqenies së qytetarëve deçanas.