Smajl Latifi: Në Retijë inaugurohen shkronjat e arta të UÇK-së, nderohen veteranët me “Medaljen e Lirisë”

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka bërë të ditur se në fshatin Retijë janë inauguruar shkronjat e arta të UÇK-së, në një ceremoni ku morën pjesë familjarë të dëshmorëve, veteranë, invalidë të luftës, banorë dhe mysafirë të shumtë. Latifi theksoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është themeli i lirisë së vendit, ndërsa sakrifica e saj mbetet e gdhendur përgjithmonë në ndërgjegjen e popullit shqiptar. Ai kujtoi se gjatë luftës Retija ishte një pikë strategjike për veprimtarinë e UÇK-së, ku u organizuan dhe u riorganizuan Brigadat 124, 125 dhe 126 të Zonës Operative të Pashtrikut, të cilat, sipas tij, dhanë kontribut të rëndësishëm në luftën për çlirimin e Kosovës. Në kuadër të ceremonisë, disa veteranë të kësaj zone u nderuan me dekoratën komunale “Medalja e Lirisë”, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre gjatë luftës. Sipas kryetarit Latifi, vendosja e shkronjave të arta të UÇK-së dhe nderimi i veteranëve përfaqësojnë një akt respekti ndaj dëshmorëve dhe heronjve të Kosovës, duke theksuar se ato do të mbeten simbol i krenarisë kombëtare dhe dëshmi e përhershme e idealit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Haga refuzon kërkesat për lirim të përkohshëm, edhe Jakup Krasniqi mbetet në paraburgim

Trupi Gjykues II i Gjykatës Speciale në Hagë ka vendosur vazhdimin e paraburgimit dhe Jakup …