Kryetari i Komunës së Deçanit, z. Bashkim Ramosaj i shoqëruar me bashkëpuntor ka pritur të premtën në një takim, Ambasadorin e ri të OSBE-së në Kosovë, z. Gerard McGurk, i cili ishte i shoqëruar nga stafi i tij.
Gjatë këtij takimi u diskutua për bashkëpunimin e deritanishëm mes Komunës së Deçanit dhe OSBE-së, si dhe për mundësitë e thellimit të mëtejmë të këtij bashkëpunimi në fusha me rëndësi për komunitetin lokal.
Kryetari Ramosaj e uroi Ambasadorin McGurk për detyrën e re dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin dhe forcimin e bashkëpunimit në projekte që kontribuojnë në zhvillimin demokratik, përfshirjen e komuniteteve dhe fuqizimin e qeverisjes lokale.
Nga ana e tij, Ambasadori McGurk falënderoi kryetarin Ramosaj për mikpritjen dhe vlerësoi punën e bërë nga Komuna e Deçanit në bashkëpunim me OSBE-në, duke ritheksuar mbështetjen e misionit për të gjitha iniciativat që kontribuojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve.