Kujdesi për Trashigiminë tonë Kombëtare është detyrim dhe mision

Fjala e kryetarit Smajl Latifi e mbajtur në Ditën e Qendrës Kulturore “Mensur Zyberaj”

Të respektuar familjarë të dëshmorëve, invalidë e veteranë të luftës çlirimtare, kolegë e bashkëpunëtorë, zonja e zotërinj, shumë të respektuar familjarë të Heroit të Kosovës Mensur Zyberaj, të nderuar të pranishëm

Që në fillim dua ta potencoj se, ruajtja e trashëgimisë tonë kulturore e historike është detyrimi ynë moral e atdhetar dhe është misioni që e kemi të trshëguar nga dëshmorët tanë.  28 maji është dita e rënies në fushë të nderit të heroit tonë Mensur Zyberaj, emrin e të cilit e mban ky institucion, ku shpalosen vlerat tona kulturore e edukative. Duhet thënë se, për këto vlera janë flijuar shumë dëshmorë e martirë dhe se këtij populli i ka kushtuar shtrenjtë liria. Kjo dëshmohet edhe me vargun e gjatë të dëshmorëve që ranë nëpër fushëbeteja anekënd komunës tonë. Në këtë rast po i përmend 32 dëshmorët e majit, apo siç i quante Prof.dr. Sabahajdin Cena, Lulëkuqet e Majit”. Gjatë këtyre ditëve ne i kemi nderuar të rënët me homazhe e tubime përkujtimore, gjithnjë duke u përpjekur që të bartim te brezat e rinj këtë trashëgimi të pasur të larë me gjak dëshmorësh. Pikërisht në datën e sotme të majit të vitit 1999, ra në fushëbetejë një nga figurat qendrore të UÇK-së për rajonin e Anadrinisë, Mensur Zyberaj, i cili qe në celulën e parë të UÇK-së dhe emri i tij do të jetojë sa të ketë shqiptarë në këto troje. Krahas Mensurit ne kemi nderuar edhe dëshmorët tjerë që ranë në këto luftime të përgjakshme. U përkujtuan: Sadedini, Bekimi, Mexhiti, Ismaili, Habibi,  Milaimi, Xhevdeti, Naimi, Besimi, Avniu, Alajdini, Xhevati, Bujari, Nazmiu, Kurtishi, Selimi, Jetoni, Bedri Berisha nga Klina dhe shumë dëshmorë të tjerë të zonave të ndryshme që ranë në këtë betejë të pabarabartë me armikun në atë fundmaji tragjik e heroik. U kujtuan edhe Feim Gashi, Sakip Bellaqa dhe Përparim Thaçi, që u përjetësuan më 27 maj 1998.

Për të përjetësuar kujtimin për dëshmorët tanë na takon që në këtë vatër të kulturës të shpalosim gjithnjë e më shumë promovime të kulturës tonë tradicionale, krijime të reja artistike dhe çdo vlerë tjetër që na identifikon si komb.

Vitin e kemi nisur me organizimin e manifestimeve përkujtimore e kulturore “Flaka e Janarit”, të pasuar me shënimin e shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës. Ndërsa ka pasur edhe aktivitete në shënim të Ditës së Mësuesit, e njohur si dita e shkollës shqipe. DKRS-ja ka organizuar edhe Ditën Botërore të Poezisë në Bibliotekën Komunale “Sulejman Krasniqi”, duke synuar nxitjen e krijimtarisë dhe leximin te të rinjtë tanë. Dalja publike e UÇK-së këtë vit ka pasur një trajtim më serioz dhe në bashkëpunim me shoqatat e dala nga UÇK është organizuar tryeza shkencore me temë: Rëndësia e luftës së UÇK-së në ZO të Pashtrikut. Në këtë tryezë u paraqitën me kumtesa emra të shquar të kulturës e të historisë tonë kombëtare, siç janë: gjenerali i Ushtrisë Shqiptare Kudusi Lama, Dr. Emin Kabashi, Dr. Nuri Bexheti, Mrsc. Bedri Zyberaj dhe personalitete të tjera të jetës shoqërore.

Që nga data 5 maj e deri në këtë ditë kemi organizuar një mori aktivitetesh në përkujtim e nderim të atyre që luftuan e ranë në territorin e komunës së Rahovecit. ,,Java e Dëshmorëve”, aktivitet  tradicional që mbahet çdo vit, sivjet ka qenë i mbushur me ngjarje, për të kulmuar me festivalin e folklorit ,,Anadrinia jehon”. Në këto aktivitete ka qenë e angazhuar tërësisht Drejtoria e Kulturës. Duhet t’ua përkujtoj se, para nesh kemi shumë aktivitete vjetore, siç është Dita e çlirimit të komunës tonë, shënimi i përvjetorëve të betejave dhe rënieve të dëshmorëve, organizimin e festës tradicionale të vjeljes së rrushit, Hardh Fest, organizimin e manifestimeve kulturore, si dhe shënimin e përvjetorëve të lavdisë e krenarisë tonë kombëtare. Në të gjitha këto aktivitete, DKRS-ja ka rol kyç organizues, gjë që na bën krenar, duke marrë parasysh edhe ruajtjen e trashëgimisë së pasur historike e kulturore që mban mbi supe kjo drejtori.

Mbetemi të përkushtuar të punojmë me zell e pa u lodhur për të mbrojtur dhe avancuar vlerat tona kombëtare, sepse e kemi dhe detyrim moral të lartësojmë emrin e heroit tonë që kjo qendër mban me krenari.

Ju bëj thirrje artistëve, krijuesve të ndryshëm, shkrimtarëve dhe të gjithë njerëzve vullnetmirë që t’na bashkohen në këtë mision, në mënyrë që në të ardhmen të kemi më shumë rezultate për të prezantuar para jush. Paraprijës kemi jetën dhe veprën e dëshmorëve dhe heronjve tanë, prandaj jam i bindur se do t’ia dalim me sukses.

Që nga manifestimet për shënimin e Ditës së çlirimit të Rahovecit e deri në fund të vitit që kaluam, DKRS-ja ka organizuar një mori ngjarjesh kulturore, rinore e sportive dhe për këto duhet përgëzuar drejtorin Afrim Dina dhe stafin e kësaj drejtorie.  Një vend me rëndësi në këtë kuadër zë edhe organizimi i Muajit të mërgimtarëve apo ,,Sofra e mërgimtarit”, me ç’rast kemi bashkëpunuar edhe  me OJQ “FARDI” për organizimin e FARDIFEST, pastaj në Krushë të Madhe është mbajtur AGROFESTA, kurse kryefesta e komunës tonë HARDHFEST ka zënë një vend meritor. Njëkohësisht gjatë vitit janë mbajtur aktivitete të shumta me të rinjtë, ndërsa ngjarjet sportive kanë qenë pothuajse të përditshme. Disa klube sportive kanë arritur rezultate kulmore në gara republikane dhe për këtë jemi krenar.

Shfrytëzojmë rastin të theksojmë faktin se gjatë gjithë vitit janë bërë investime të konsiderueshme për ndërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës rinore – sportive komunale, ndërsa në përfundim është projekti i qendrës rinore e inovative.

Të gjitha këto arritje e rezultate janë realizuar falë bashkëpunimit të mirë me individë të kulturës, dashamirës të artit, entuziastë të sportit dhe vullnetarëve të rinj. Besojmë e shpresojmë se edhe në të ardhmen bashkëpunimi nuk do të mungojë.

Falënderoj të gjithë ata individë e grupe shoqërore që janë pjesë e organizimeve tona, duke besuar se në të ardhmen do të kemi mbështetje më të gjerë shoqërore për të dalë faqebardhë para familjarëve të dëshmorëve dhe komunitetit të artistëve të shumtë të komunës së Rahovecit.

Lavdi e nderim për të rënët, respekt e vlerësim për krijuesit e artistët tanë dhe për të gjithë ata që me përkushtim i ruajnë dhe i avancojnë vlerat tona kulturore e historike!

Ju falënderoj për vëmendjen tuaj!

Kontrolloni gjithashtu

Mbahet konsultim publik për Draft-Vlerësimin Strategjik Mjedisor dhe Planet Ndërkomunale të Menaxhimit të Mbeturinave

Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencës e komunës së Ferizajt ka mbajtur sot një konsultim …