Kurti konfirmon ofertën për bashkëqeverisje me Limajn: Shpresoj të finalizohet këtë fundjavë

Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka konfirmuar sot se i ka bërë një ofertë konkrete për bashkëqeverisje Nismës Socialdemokrate të Fatmir Limajt, teksa afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit po afron me 26 korrik. Në një konferencë për media, Kurti tha se takimi me Limajn është mbajtur pardje dhe se oferta është bërë me qëllim të krijimit të institucioneve sa më parë. “Me Limajn kemi zhvilluar një takim pardje. LV-ja dhe unë kemi shprehur interesimin dhe gatishmërinë për të bashkëqeverisur me Nismën Socialdemokrate dhe në përputhje me këtë unë kam bërë edhe një ofertë konkrete që gjithçka të përmbyllet sa më shpejt e mirë, ta kemi konstitutim të Kuvendit dhe qeverinë”, deklaroi Kurti. Ai nuk dha detaje për përmbajtjen e ofertës, duke thënë se ende nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare. “Nevojitet të vazhdojnë bisedimet dhe vullneti politik”, shtoi ai. Kreu i VV-së shprehu shpresën se marrëveshja do të arrihet deri në fundjavë. “Këtë fundjavë do ta kemi lajmin për marrëveshjen e arritur ose mungesën e saj”, përfundoi Kurti.

Kontrolloni gjithashtu

Dështoi për herë të 50-të konstituimi i Kuvendit të Kosovës

Dështoi për herë të 50-të konstituimi i Kuvendit të Kosovës

Përpjekja e 50-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës nuk ka prodhuar asnjë rezultat. Deputetët …