ISA FERIZAJ

Kush më mirë në kohën tonë do të shkruante një poemë për Enverin, sikur e ka shkruar biri besnik i Atdheut, Isa Ferizaj

Tani që nuk e kemi në mesin tonë Dritëro Agollin, tani që Kadare ka ndërruar ngjyrën, tani që poetët  e dikurshëm që i kanë shkruar  me zemër Enverit,  disa janë moshuar e dërmuar,   disa nuk janë më, tani, nuk  e di kush do të mund  ta shkruante një POEMË-EPOPE, me mendje e zemër,  sikur e ka shkruar  ISA FERIZAJ, në Ditëlindjen e Enverit, pasi Xhaxhi ka vetëm ditëlindje…

 

Do të mund ta shkruante edhe Gjon Bruçi, po nuk di sa i shkon ky zhanër,

Do të  mund ta qëndiste fare mirë edhe Ylli Meçe, por ai shkuan analiza, komente, vështrime,

Do ta shkruante me gjithë zemër, Preng Cub Lleshi, por si duket ka halle e derte,

Do ta shkruante edhe Ilmi Qazimi, por nuk di a shkruan apo jo poema.

Do të mund ta shkruanin edhe sa e sa të tjerë…

Por për të shkruar një poemë  të  tillë epope, kësaj radhe u gjet Isa Ferizaj tekst-shkruesi lapidar i poezive  e këngëve për dëshmorët e Atdheut, dëshmorët e UÇK-së heroike.

 

Jo vetëm katër e pesë por janë edhe katër-dhjetë e katërqind  e më shumë poetë, krijues e analistë shqiptarë, që i kanë shkruar, i shkruajnë e do t i shkruajnë Enverit, të pavdekshmit, sepse duke e parë sot Shqipërinë  se në ç gjendje të mjerë e kanë katandisur, bijtë e saj shkapërdarë, nuk ka si të mos kujtohet Enveri dhe pasuesit e tij idealistë,  për ditë e për natë, nuk ka si të mos kujtohen veprat e tij në ngritjen, arsimimin, edukimin, përparimin, zhvillimin e gjithanshëm të Shqipërisë Socialiste,  e cila rrezatonte dritë lirie  edhe te në Kosovë, në Kosovën Lindore,  në Mal të Zi, në Maqedoni, në Greqi,  në mërgatë, duke e ngulfatur në fyt mërgatën e qyqeve, që sot janë shndërruar në korba e sorrashka…

 

Isa i nderuar,  u zgjata në këtë hyrje jo pa qëllim, para se të shkruaj disa fjalë e fjali për vlerën ideore artistike dhe brendinë lapidare  të kësaj poeme, që na kthen në kohët e kaluara, në kohët e vërteta,  jo vetëm për nostalgji, por për faktin se gjatë këtyre viteve të “demonkracisë”, nuk ka ditë, nuk ka çast,  që nuk është përmendur e përmendet Enver Hoxha, natyrisht duke mos i përjashtuar edhe ata që dikur i binin te këmbët,  e sot kanë sy e faqe edhe ta përbuzin e ta shajnë duke treguar vetë amoralitetin e tyre, hipokrizinë, poshtërsinë e shpirtin qymyr të zi.

 

Dhe përderisa përditë kudo ndër shqiptarë përmendet Enveri, është e natyrshme që  ai gjallon, gjallojnë mësimet e porositë e tij, veprat e tij. Sa më shumë e shajnë çanak-lëpirësit e globalizmit, aq më e qartë bëhet figura e tij, sepse kur të shan hajni, mashtruesi, vrasësi, atdhemohuesi,  të ngrihet nderi e nami, sepse kur të thurë kurorë lavdie, trimi, burri, besniku, dalin në pah meritat dhe ato, as kanë munguar as  do të mungojnë.

 

Epopeja e Isa Ferizajt: ME TY,  LIDHUR KOMBI, SI GJAKU ME ZEMËR! është një krijim përkushtues i mishëruar me substancën e perceptimit artistik të një kohe, të një epoke të lavdishme, e cila nuk ka vdekur, sepse faqja e zezë  e botës së sotme kapitalist, bën që ajo  kohë të rikthehet në kujtesë, jo vetëm si nostalgji, por si një realitet, si i vetmi realitet, si vetë drita diellore, pavarësish se:

 

Vitet ikur tutje, horizonteve kalëruar;

Por prore, Enver Ti, nesh na je afruar!

Horizontesh historie, qartaz Ti, viganmal;

Horizontesh zemre, i madhërishmi gjenial!

 

Poeti i madh, Isa Ferizaj është në mesin e atyre intelektualëve shqiptarë, të cilët kurrë nuk janë luhatur në bindjet e tyre,  as pas përpjekjeve të çmendura, dhe pas  përmbysjes së dhunshme, (bashkë me tradhtinë brenda) që iu bënë idealeve më të pastra njerëzore, sikurse janë idealet e vërteta socialiste, për liri drejtësi e barazi njerëzore, shoqërore, ideale  që sot i mungojnë zyrtarëve  të Shqipërisë.

 Idealistët, qoftë për një ditë të vetme gjatë këtyre 32 viteve të tmerrshme të Shqipërisë, nuk janë dhënë, nuk janë dorëzuar, as pas  mazohizmit të çmendur, të kthimit kundër  vetvetes, kundër tërë asaj godine madhështore që e kishte ndërtuar djersa  dhe sakrifica e të gjithë shqiptarëve, dhe sot e kanë zhvatur njëqind apo dyqind  magnatë shqiptarë, në bashkëveprim me serbët, grekët, italianët e me të tjerë si vetë. Andaj  poeti duke kujtuar katrahurën e përjetuar rëndë të përmbysjes, e cila nuk po ndalet,  nuk ka si të  mos shkruajë:

 

Me Ty Enver, o Yllshqipja e Flamurit;

Qemë shqiponja, mundëm re e rrufe, ne.

Sot, bash si sorrat, flamurgrisur e përdhe!

Me Ty, kreshnik, patëm palcën si të gurit!

 

Duke rikthyer në kujtesë unitetin popull-parti, unitetin e çelikosur mbi të gjitha ndasitë, fetare, krahinore, feudale, borgjeze e klanore Isa Ferizaj shkuan në Poemën e tij:

 

Veç Enverianja Epokëmadhe,

Muret e ndasive na i rrafshoi.

Brenda hapësirash si në pranverë,

Çelen vlerat, prore urtësia gëloi!

 

Ajo ishte epoka, që kishte bërë kthesat më të mëdha në historinë e kombit, epoka e cila për 45 vite kishte kapërcyer 500 e më shumë vitet e robërisë, që jo vetëm e kishte nxjerrë Shqipërinë nga morbiditeti e indolenca bizantine-aziate, e më vonë fashiste-naziste   por e kishte përparuar në të gjitha segmentet duke marrë në duar edhe flamurin e lavdisë. Por pikërisht në atë  kohë,  gjatë atyre kapërcimeve kolosale, kur Shqipëria ishte kthyer në një “atdhe të kuq në rruzullin tokësor” mëria dhe xhelozia e zezë kapitaliste,  po kurdiste  shembjen e Shqipërisë Socialiste  përbrenda ambasadave të huaja, në Tiranë. Ambasadat, jashtë protokollit shtetëror kishin hapur portat me qëllim që të shiturit e të manipuluarit  t’ i  përdornin për  qëllimet e veta, sikur ishin disa nga mbetjet e ish regjimeve antishqiptarëve.

Dhe, shembja ndodhi në sinkron me agjenturat botërore të instaluara nga qarqet më të liga antishqiptare.   Andaj poeti në monologun e i rrëfen Xhaxhit, sepse: 

 

Sot, i yni atdhe, s’është si e pate lënë;

As korr, as mbjell, dita-ditës merr  hua!

Mjerë shqiptarët e atdheu, turpi zënë;

I tyri fat, në çfarë duar harbutërish ra!

 

Mbi tri dekada, banda çakejsh politikë;

E shqyen vendin, bënë çfarë deshën!

O sa turp! N’ sy të botës, kriminelët;

Nënë Shqipërinë, cullak, e zhveshën!

 

Aty lahen, aty thahen e, aty lëpihen,

Njëjtas, shkërdhatat, dalin të shiten!

Flakë digjet, shkrumbohet, Shqipëria,

E, prostitutat politike, zënë të krihen!

 

Poeti, Isa Ferizaj ka arritur të depërtojë në thellësitë  e pasqyrimit të realitet me kontradiktat mes së djeshmes njerëzore, morale dhe të sotmes së shthurur e imorale, që dallojnë si dita e ndritur e diellit dhe terri i tmerrshëm i natës. Në këto tri  stofa, të veçuara  nga qindra syresh, poeti ka krijuar tablonë më realiste me mundshme me të zezat që e kanë pllakosur Shqipërinë  në këto 32 vitet e fundit. Ekonomia e sitmë kapitaliste e Shqipërisë, udhëhiqet  nga mafia ekonomike tregtare, me botën tjetër të kapitalit, jo nga  Qeveria informale, sepse ajo ka të tjera detyra, në këtë rend shoqëror të kapitalizmit të xhunglës. Sot këto mendje të kalbura, po rrahin daullet kundër komunizmit e kundër Enver Hoxhës. Këto mbetje fashiste, balliste, naziste, zogiste, titiste, rankoviçiste disa nga bijtë e bijat e tyre tashmë të vetë deklaruar si demokratë, duan ta kthejnë prapa, në mos ta zhdukin krejt  historinë e ndritur 45 vjeçare të Shqipërisë Socialiste e cila u dha punë, bukë, banesa, i shkolloi  edhe pse ishin  bij kolaboracionistësh, e tradhtarësh me damkë i bëri madje edhe kuadro të shtetit, por njerëz nuk arriti t i bëjë dot, sepse ata u kthyen sërish në gjenezën e ADN-së së tyre.

 

E keqja monstruoze, globaliste kapitaliste, nuk e ka prekur vetëm Shqipërinë por ajo e ka mbarsur  pjesën më të madhe të botës, konstaton poeti, Isa Ferizaj. Ajo e ka metastazuar palcën kurrizore të botës dhe nuk ka më kthim prapa, sepse është mbarsur me aq shumë kriza, sa nuk përballet dot me to dhe ato tashmë kanë filluar të zbrazen, me luftëra me krizë ekonomike  me pasurim të të pasurve dhe varfërim të të varfërve . Dhe kjo po shihet më së miri në vargjet e Poemës së tij:

 

Kriza, luftëra plot, moralshthurura botë;

Klima, mjerimi, rrezikon jetën në Tokë!

Babëzia çmendi klimën, skamja po vret;

Kapital rendkalburi, vetëshpallet “mbret”!

 

Duke i bërë një përshkrim të gjithanshëm e deri në detaje të gjitha zhvillimeve, në kohë e hapësirë, në sinkroninë e diakroninë e zhvillimeve  historike, duke krahasuar të mira e të ligat e epokës, ku ishim e ku jemi tani,  duke sjellë fakte e argumente të qëndrueshme dhe që nuk kontestohen dot me gjuhën e fakteve, duke bërë ballafaqime të dy botëve, poeti Isa Feizaj për fund të poemës  së tij të gjatë dhe të përpunuar artistikisht në të gjitha segmentet  letrare artistike ka zgjedhur një strofë lapidare:

 

Epokave, Ti, Everesti njerëzor;

I mendimit, Ti, dritënori diellor!

I frymës e idesë, arkitekti prijëtar;

Në ballë të lavdisë, prore Ti i parë!

 

 

Struktura kompozicionale e poemës ME TY,  LIDHUR KOMBI, SI GJAKU ME ZEMËR, është ndërtuar e ndërthurur me mjeshtëri artistike. Poeti iu ka përmbajtur me besnikëri  strofës së rimuar tradicionale të metrikës  shqipe, e cila jep mundësi të pakufishme shprehëse dhe melodi të ritmikës hapëruese bashkë me kohën…

Isa Feizaj është poet i thjeshtë është biri i popullit, është pasuesi besnik i Dritëro Agollit  dhe i gjeneratave më të afirmuara  letrare të kohës, i cili nuk ka rënë në batakun e Kadaresë, pavarësisht respektit që ka për krijimtarinë e tij, ashtu sikur ka shumica dërmuese  e shqiptarëve, edhe pse Kadare i sotëm është larg nga ai kohës së socializmit,  që ia kishte hapur të gjitha horizontet dhe të cilat i përbuzi me aq lehtësi.

 

Ahmet Qeriqi

25. 10. 2022

Elbasan

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …