Kuvajti premton investime në Kosovë në fushën e mirëqenies sociale

Në kuadër të vizitës zyrtare në shtetin e Kuvajtit, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, është takuar me disa organizata që veprojnë të mbështetura dhe nën mbikëqyrjen e Qeverisë së Kuvajtit, të cilat zhvillojnë aktivitete dhe projekte në fushën e mirëqenies sociale, edukimit dhe aftësimit profesional. Në këtë takim të organizuar nga Ministria për Çështje Sociale dhe e Punës e Kuvajtit, u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit në projekte konkrete mes këtyre organizatave dhe MPMS-së, në fushat që mbulon MPMS. Nga përfaqësuesit e organizatave, ministri u informua rreth aktiviteteve dhe projekteve që ato po zhvillojnë në vende të ndryshme. Ministri Reçica i informoi rreth nevojave kryesore që ka Kosova sa i përket përmirësimit të mirëqenies sociale të qytetarëve, siç është ajo për ndërtimin e një qendre për banim social, një qendre për persona të moshuar, gjithashtu një qendër strehimi për fëmijë pa përkujdesje. Reçica tha se Qeveria e Kosovës, brenda mundësive buxhetore që ka, po bën përpjekje maksimale për sigurim të mirëqenies për këto kategori, mirëpo ka nevojë për ndihmë dhe përkrahje nga miqtë dhe partnerët e saj. Ministri i MPMS-së mori mbështetje të plotë nga Qeveria e Kuvajtit dhe përfaqësuesit e organizatave prezente në këtë takim, për inicim të projekteve në çështjet për të cilat ministri i parashtroi. Nga ana e tij, ministri ofroi gatishmërinë e plotë për koordinim të veprimeve, në kuadër të bashkëpunimit në mes të MPMS-së dhe Ministrisë për Çështje Sociale dhe të Punës së Kuvajtit, respektivisht të institucioneve kompetente në kuadër të qeverive të të dyja shteteve.

Kontrolloni gjithashtu

Të premtën me 24 tetor në Deçan mbahet Festivali i Gështenjës

Komuna e Deçanit nën përkujdesjen e kryetarit, z. Bashkim Ramosaj ju fton të merrni pjesë …