Në Kuvendin e Kosovës, u miratua rezoluta për procesin në Hagë me 90 vota për, një kundër dhe asnjë abstenim, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe Lista Serbe nuk morën pjesë në votim. Rezoluta, u prezantua nga deputeti Përparim Gruda, u hartua nga një grup prej mbi 300 profesorësh dhe synon respektimin e të drejtave të njeriut, zbatimin e ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, si dhe përforcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar për zbardhjen e vrasjeve të pazbuluara gjatë dhe pas luftës. Shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, kërkoi që në rezolutë të përfshihej një pikë shtesë, por kërkesa e saj u refuzua. Për këtë arsye, LDK-ja vendosi të mos votojë, një vendim që shihet si mungesë angazhimi ndaj kauzës kombëtare, ndërsa Lista Serbe as nuk ishte e pranishme në sallë. Ky bojkot dhe mungesë pjesëmarrjeje heqin peshën e qytetarit nga vendimet e rëndësishme dhe dërgojnë një mesazh të paqartë për rolin e këtyre dy grupeve në çështje të drejtësisë dhe transparencës kombëtare.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
