Kuvendi Komunal i Vitisë mbajti seancën e tij të dytë për këtë vit, në të cilën u diskutuan disa çështje me rëndësi për zhvillimin e komunës. Pika kryesore e diskutimit ishte raporti njëvjeçar i Kryetarit të Komunës, si dhe pasqyrat financiare për periudhën janar-dhjetor 2024.
Seanca u hap nga kryesuesi i Kuvendit, Bekim Azizi, i cili nisi diskutimet rreth pyetjeve dhe shqetësimeve të këshilltarëve drejtuar ekzekutivit, duke pasuar me miratimin e rendit të ditës për këtë seancë.
Pika e parë që ngjalli më shumë diskutime ishte prezantimi i raportit të punës së Kryetarit të Komunës. Ky raport u shoqërua me diskutime të detajuara lidhur me realizimin e aktiviteteve dhe projektet e vitit të kaluar, duke pasur parasysh përpjekjet për zhvillim dhe përmirësim të shërbimeve për qytetarët.
Nënkryetari i komunës, Hasan Aliu, prezantoi raportin njëvjeçar të punës së kryetarit Sokol Haliti për vitin 2024. Ky raport përfshiu punën e realizuar nga ekzekutivi komunal, drejtoritë, zyrat dhe shërbimet tjera komunale gjatë vitit që lamë pas. Gjatë paraqitjes së raportit, u theksuan investimet kapitale, përmirësimi i infrastrukturës publike, mbështetja për bujqësinë, arsimin dhe zhvillimin ekonomik lokal. Po ashtu, u raportua mbi efikasitetin e shërbimeve administrative, përmirësimin e transparencës dhe bashkëpunimin me qytetarët. U potencuan edhe sfidat e hasura dhe projektet që priten të realizohen në vitin e ardhshëm. Këshilltarët komunalë diskutuan mbi raportin, duke dhënë vlerësimet dhe kritikat e tyre për përmirësimin e mëtejshëm të shërbimeve publike dhe menaxhimit komunal.

Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
