Kuvendi Komunal në Viti mbajti seancën e rregullt

Kuvendi Komunal i Vitisë, ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt, të pestën me radhë, ku mes tjerash është diskutuar edhe për propozim vendimin për rritjen e mjeteve vetanake të vitit 2022 në vitin 2023. Kryesuesi i Kuvendit Bekim Azizi, ka njoftuar në fillim këshilltarët për ligjshmërinë e vendimeve që janë marrë në seancën e kaluar, ndërkohë zv.kryetari i komunës Hasan Aliu, ka informuar kuvendarët me punimet e projektit të shkollës fillore në Pozheran dhe bisedimet e delegacionit të përbërë nga Institucionet komunale, si dhe arritjen e një shkrese nga Ministria e Arsimit, që më shumë është një përshkrim i gjendjes aktuale dhe se lënda është në OSHP. Ai tha se janë në pritje të një takimi edhe me ministrin e Punëve të Brendshme Xhelal Sveqla lidhur me këtë, në mënyrë që të zhbllokohet puna dhe të nisin punimet. Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, e quajti absurd gjithë këtë vonesë dhe tha se është absurde që na jepet e njëjta përgjigje se lënda është në OSHP. Pikat për seancën e sotme ishin: Propozim vendimi për bartjen e mjeteve nga të hyrat vetanake të vitit 2021 në vitin 2023. Bartja e mjeteve nga të hyrat vetanake të vitit 2021 në vitin 2023, sipas Drejtorisë së Financave, janë bilancet e pa shpenzuara të të hyrave vetanake në vlerë prej 39,481.10 të vitit 2021 e që do të barteshin në vitin 2023. Pikë tjetër ishte Propozim vendimi për bartjen e mjeteve nga të hyrat vetanake të vitit 2022 në vitin 2023. Sipas drejtorit të Financave dhe Zhvillimit Ekonomik Besnik Imeri, kjo shumë e mjeteve  është 312,040.38 euro. Prej tyre, mallra e shërbime në shumë prej 108,132.01 euro, subvencione e transfere: 121,077.73 euro dhe Investime kapitale: 82,830.64 euro. Ndërkohë që propozimi vendim për rritjen e mjeteve vetanake të vitit 2022 në vitin 2023, u tha se është kërkesë edhe e Ministrisë së Financave, e që kjo shumë është në vlerë prej 195.500.14 euro. Në këtë seancë u diskutua dhe u miratuan edhe Propozim vendimi për shfuqizimin e vendimit të lokacionit për ndërtimin e objektit për personat me aftësi të kufizuara në fshatin Binçë me Nr.01-110/05-278 i datës 30.03.2023.  Propozim vendimi për shfuqizimin e vendimit për ndryshimin e vendimit për Planin Komunal të Veprimit për Energjinë dhe Klimën (PKVEK) 2022-2030, me Nr. 01-101/05-164 i datës 01.03.2023 dhe vendimit për Planin Komunal të Veprimit për Energji dhe Klimë (PKVEK) 2022-2030 me Nr. 01-110/05-1364 i datës 05.12.2022. Si pikë e fundit e rendit të ditës, në mënyrë të drejtpërdrejt pa kaluar në KPF, është diskutuar edhe për raportin vjetor të punës për vitin 2022 nga Njësia për auditim të brendshëm në komunën e Vitisë. Gjithashtu në këtë seancë, u prezantua raporti rreth Manifestimit Tradicional Kulturor e Sportiv “Flakadani i Karadakut 2023”.

Kontrolloni gjithashtu

Jetën ia falën lirisë, që të jetojë i lirë shqiptari

Sot në Gllogjan e Maznik të komunës së Deçanit, në nder të 25-vjetorit të rënies …