Labinot Dervishaj: Në Ditën e Flamurit...

Labinot Dervishaj: As nuk ndahet historia dhe as nuk bëhesh dot flamurtar kur nuk e ke flamurin në duar

Mediet sociale dhe telefonat e mençur si duket e kanë për shumë për vete njerëzimin, prandaj vazhdimisht jemi bërë të lidhur me telefonat dhe informatat që plasohen çdo moment në këto platforma virtuale. U nxita të shkruaj këtë reagim nga një ngjarje me zhvillim të drejtpërdrejt që e zura mbrëmë tek transmetohej live në Facebook, duke u mbajtur një e ashtuquajtur gala mbrëmje  e 25 vjetorit të themelimit të agjencisë së lajmeve Kosovapress.

Rastisa që ta dëgjoj që nga minuta e parë e shënimit të kësaj ngjarje dhe thënë të drejtën isha kureshtar ta shikoja por më humbi interesimi vetëm pas pesë apo gjashtë minutave të përcjelljes së këtij transmetimi kur e pash një shtrembërim dhe jo-objektivitet të pashembullt.

Të përpiqesh ta paraqitesh veten në superlativ funksionimi, në fuqi mediale vendore deri diku mund të kuptohet dhe të përkthehet si rezultat i punës së këtij mediumi të pavarur pas luftës në Kosovë për çka natyrisht se e përgëzoj. Por u ndjeva tepër keq për një ndarje historike që nuk është hera e parë që ky medium e bën dhe e përshfaq.

Për ata pesë apo gjashtë minuta sa thash që e kam ndjekur atë transmetim, vetëm njëherë u përmend data e themelimit 4 janari i vitit 1999. Vetëm dy herë u përmend së ishte kohë lufte dhe disa herë referohej si kohë vendimtare dhe e rëndësishme dhe jo kohë si luftës çlirimtare e për liri.

Ndarja e padrejtë dhe më e pafalshme u bë kur nuk u përmend fakti së ky medium u themelua me vendim të Shtabit të Përgjigjëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe as fakti tjetër së bashkë më KosovaPressin me 4 janar të vitit 1999 me të njëjtin vendim është themeluar edhe Radio Kosova e Lirë. Pra u nda pjesa më e çmuar e historisë sikur të mos ekzistonte fare ajo.

Në injorancë e sipër të së kaluarës u pa edhe një tentativë përvetësimi të meritave kur u tha së ky medium paska bërë motivimin dhe fuqizimin e luftës, por pa përmendur fare cilën luftë dhe cilën ushtri e paka përkrahur. E din një shqiptari e tërë se kush e ka bërë motivimin dhe fuqizimin e luftës, cila medie, cili zë. Pra ka qenë zëri i radios Kosova e Lirë e që për kryefjalë të saj që nga themelimi i saj, gjatë e pas luftës e ka pasur dhe e ka UÇK-në.

Nuk thotë kot shprehja: “një popull që e anashkalon historinë e vet, të ardhmen e ka të brishtë”, prandaj më këtë thënie ua rikujtoj atyre që për interesa komerciale janë në gjendje edhe ta ndajnë historinë, ta paraqesin në mënyrë të rrejshme, njëanshëm dhe pa objektivitet se e kanë gabim.

Prandaj është e kot të provosh ta paraqitesh vetën bajraktar në një dasmë kur nuk e ke pasur flamurin në duar dhe flamurtar ka qenë dikush tjetër. Sot familjet e dëshmorëve, ish-luftëtarët e lirisë, invalidët e veteranët e luftës janë të lidhur me vendin dhe i mban me frymën e atdhedashurisë zëri i radios Kosova e Lirë, e cila përkundër sfidave dhe vështirësive ka qëndruar dhe vazhdon të qëndroj pranë tyre.

Ndërsa të tjerët që flasin më përbuzje me injorim dhe mosmirënjohje për UÇK-në dhe vlerat e dala nga lufta vlen thënia: “koha është e maskarenjve, por atdheu është i shqiptarëve”. Historia një herë ka ndodhur, është ajo që të gjithë ne e dimë dhe nuk mund të ndahet, ndryshohet apo t’i jepet tjetër kuptim për dëshira e teke personale.

Kontrolloni gjithashtu

Dr. Gurakuç Kuçi: Zgjedhjet elektorale si gjeopolitikë: Maqedonia e Veriut drejt Perëndimit apo Rusisë dhe reagimi i Gjermanisë

Zgjedhjet elektorale më nuk janë thjesht një ndërmarrje demokratike e organizuar për të kahëzuar zhvillimin …