Labinot Dervishaj: Dinjiteti i Radios Kosova e Lirë nuk mund të cenohet nga etiketa të padrejta e qëndrimet euforike

Nuk kam asnjë qëllim të gjykoj apo të merrem me shkrimin e të apostrofuarit Besim Qeriqi, as me opinionin e tij personal ditë më parë të publikuar nga Radio Kosova e Lirë. Çdo njeri ka të drejtën e mendimit dhe të shprehjes së lirë. Por ajo që nuk mund të pranohet apo të kapërdihet në heshtje është nënvlerësimi dhe etiketa e padrejtë që i vihet Radios Kosova e Lirë, ta quash atë medium privat, përçarës apo propaganduese e pakontrolluar dhe antikombëtare është një huqje e madhe, e papranueshme dhe e dëmshme për kujtesën tonë historike.

Unë e vlerësoj lart kontributin e gjeneral Dilaver Goxhaj në luftën çlirimtare të Kosovës, ashtu siç e vlerësoj çdo bashkëluftëtar e çdo shqiptar nga të gjitha trevat etnike që ka dhënë jetën dhe mundin për lirinë. Por kritika e tij ndaj Radios Kosova e Lirë është e padrejtë dhe e pavend. Si një fëmijë i rritur me këtë radio, si një burrë që kam formuar bindjet e mija përmes zërit të saj, dhe si ish-punonjës i saj për pesë vite, kam parë tek drejtuesit e këtij mediumi vetëm tipare të larta njerëzore, ndjenja të jashtëzakonshme të atdhedashurisë dhe përkushtim të paepur ndaj kauzës kombëtare, këtë e them më kompetencë se përndryshe jam psikolog me profesion.

Familja Qeriqi, në këtë vit, është duke u përballur me dhimbjen e madhe për humbjen e kolosit të jashtëzakonshëm, profesor Ahmet Qeriqi, një figurë e cila nuk ishte thjesht drejtues i një mediumi, por një shtyllë e mendimit kombëtar, një zë i fuqishëm i lirisë dhe një intelektual që e mbajti gjallë frymën e UÇK-së edhe në kohët më të vështira. Nuk ka vend as hapesirë që të nënvlerësohet trashëgimia e tij, por para se gjitha do të ishte më e drejtë që të pranohej fakti se Radio Kosova e Lirë për 26 vite të lirisë ka qëndruar krejt e vetme, pa përkrahjen e askujt, por gjithmonë vertikalisht, e pathyer, e paanshme dhe e drejtë, si një zë i fuqishëm i atdhedashurisë.

Është e padrejtë të harrohet se ky medium i cili ka qenë dhe vazhdon të jetë pranë familjeve të dëshmorëve, ka mbajtur gjallë kujtesën e luftës, ka dhënë hapësirë për zërin e veteranëve dhe ka qenë një tribunë e lirë e mendimit patriotik. Të quash një institucion të tillë “privat” apo “përçarës” është jo vetëm një fyerje për ata që e kanë themeluar dhe mbajtur gjallë, por edhe një mohim i sakrificës së popullit që e ka mbështetur.

Gjeneral, sikur ta kishe bërë një analizë më të thellë e më të matur, do të kishe parë se Radio Kosova e Lirë nuk është një pronë private, por një pasuri kombëtare, një institucion që ka mbijetuar pa asnjë mbështetje shtetërore, duke u mbështetur vetëm në idealin e lirisë dhe në përkushtimin e njerëzve që e kanë drejtuar. Të nënvlerësosh këtë kontribut është një huqje e madhe, një padrejtësi që nuk i shërben as historisë, as së vërtetës, as brezave që duan të mësojnë për rrugën e vështirë të lirisë.

Prandaj, ky reagim nuk është kundër gjeneralit, por kundër një qëndrimi të tij të gabuar. Sepse dinjiteti i Radios Kosova e Lirë nuk mund të cenohet nga etiketa të padrejta. Ajo ka qenë dhe mbetet një zë i fuqishëm i atdhedashurisë, një kujtesë e gjallë e sakrificës dhe një dëshmi se liria nuk fitohet vetëm me armë, por edhe me fjalën e lirë, me mendimin e lirë dhe me guximin për të qëndruar vertikalisht përballë çdo sfide.

Kontrolloni gjithashtu

Ali Hertica

Mr.Ali Hertica: Format e padrejta të shtetit

Nëse filozofët nuk bëhen mbretër, ose ata që quhen mbretër nuk bëhen filozofë të vërtetë; …