Labinot Dervishaj: Ofensiva e 26 marsit 1999, heroizmi dhe qëndresa e UÇK-së në Kastriot

Më 26 mars 1999, dy ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, qielli i Kosovës u mbush me zjarr e hekur, kur forcat pushtuese serbe lëshuan një ofensivë të egër e të pamëshirshme. Synimi i tyre ishte i qartë: të thyenin shpirtin e rezistencës, të shuanin flakën e lirisë dhe të shkatërronin çdo shpresë të popullit shqiptar. Me barbarinë e tyre, ata u drejtuan kah Drenica – zemra e kryengritjes, ku Ushtria Çlirimtare e Kosovës qëndronte si një mur i gjallë kundër tiranisë. Në atë ditë të përgjakshme, historia u skalit me gjak e lavdi. Luftëtarët e batalionit të 3-të të Brigadës 112 “Arben Haliti”, nën komandën e eprorit Musa Dervishaj, u përballën me makinerinë luftarake serbe nga agimi deri në perëndim. Ishte një betejë e pabarabartë: pushkët kundër tankeve, zemra kundër artilerisë së rëndë. Por guximi i tyre ishte më i fortë se çdo armë vrastare. Ata luftuan si titanë, duke dëshmuar se liria nuk dhurohet – ajo fitohet me gjak, me sakrificë dhe me qëndresë të pamposhtur. Forcat serbe, të tërbuara nga rezistenca e UÇK-së, granatuan dhe dogjën fshatin Kastriot. Çdo shtëpi u kthye në flakë, çdo gjurmë jete u shndërrua në hi. Por edhe në mes të rrethimit, në Mishefc, luftëtarët e lirisë nuk u dorëzuan. Ata qëndruan si shkëmbinj, duke i treguar botës se populli shqiptar nuk thyhet. Edhe fshatrat përreth – Pemishta, Citaku, Runiku, Leqina e Vitaku – u bënë altarë të sakrificës, duke dhënë dëshmorë për lirinë. Kur municionet po shteronin, UÇK-ja u tërhoq taktikisht, pa i dhënë armikut kënaqësinë e një fitoreje. Por hakmarrja e pushtuesit ishte e tmerrshme. Mëngjesin e 27 marsit, në luginën e Izbicës, ndodhi një nga masakrat më mizore të luftës: 147 civilë të paarmatosur u pushkatuan barbarisht. Burra, gra, pleq e fëmijë – të gjithë u flijuan në altarin e lirisë. As gratë shtatzëna, as fëmijët e vegjël nuk u kursyen. Izbica u bë plagë e përjetshme, por edhe simbol i qëndresës së kombit. Megjithë dhimbjen, luftëtarët e UÇK-së nuk u shpërndanë. Ata u riorganizuan, vazhduan aksionet guerile bashkë më njesinë speciale elitare “Tigrat e Zi” dhe mbetën një mur i gjallë kundër pushtuesit deri në clirimin e atdheut. Kjo ditë mbetet e gdhendur në kujtesën kombëtare si dëshmi e heroizmit dhe e sakrificës sublime. Drenica është plagë, por edhe flamur. Është thirrje për brezat që vijnë, që të mos harrojnë kurrë se liria u fitua me gjakun e bijve më të mirë të kombit. Çdo ditë, çdo orë e çdo moment, ky komb dhe ky popull bart një copëz të historisë dhe lavdisë së tij, të cilën duhet ta shkruajmë, ta dokumentojmë dhe ta lëmë trashëgimi brezave që vijnë. Ashtu siç e kemi sot tokën e Kosovës të mbushur me varre dëshmorësh, që janë gurthemel i fortë i lirisë dhe shtetësisë së saj, po ashtu duhet të mbajmë gjallë kujtimin e tyre në fjalë, në libra, në këngë e në rrëfime. Sepse vetëm duke e ruajtur këtë kujtesë të përjetshme, brezat e ardhshëm do ta kuptojnë se liria nuk është dhuratë, por amanet i shenjtë i gjakut të derdhur dhe i sakrificës sublime të bijve të kombit.

Kontrolloni gjithashtu

Argjend Nystret Zymeri: 24 Mars 1999 – Heroizëm që jeton përjetë

Në mëngjesin e 24 marsit 1999, toka e Shalës së Bajgorës u drodh nga zhurma …