Në Kosovë, shëndeti mendor po përjeton një krizë të thellë, e cila po reflektohet në mënyrë dramatike në jetën e përditshme të qytetarëve. Rritja e vrasjeve, vetëvrasjeve dhe konflikteve të dhunshme ndërpersonale nuk janë më raste të izoluara, por tregues të një gjendjeje alarmante që kërkon reagim institucional dhe shoqëror të menjëhershëm.
Ngjarjet tragjike që kanë ndodhur kohëve të fundit, përfshirë vrasje brenda familjes, vrasje në rrethin shoqëror, vetëvrasje të të rinjve dhe akte të dhunës në hapësira publike po e tronditin opinionin publik. Por përtej tronditjes momentale, mbetet pyetja: çfarë po ndodh me shëndetin emocional të qytetarëve tanë?
Stresi kronik, pasiguria ekonomike, mungesa e perspektivës dhe izolimi social janë faktorë që po ndikojnë drejtpërdrejt në përkeqësimin e gjendjes mendore të individëve. Këtyre u shtohet edhe trashëgimia e traumës kolektive nga lufta, e cila ende nuk është adresuar si duhet. Për më tepër, mungesa e dialogut të hapur për ndjenjat, frikërat dhe vuajtjet emocionale po e thellon ndarjen mes individit dhe shoqërisë.
Në shumicën e shkollave, qendrave shëndetësore, madje edhe në polici e gjykata, mungojnë psikologët, psikiatrit dhe këshilltarët profesionalë. Kjo mungesë po krijon një boshllëk të rrezikshëm, ku individët me nevoja emocionale nuk marrin ndihmën e duhur, duke çuar shpesh në përshkallëzim të krizës. Në vend që të parandalojmë, ne reagojmë dhe shpesh, tepër vonë.
Shumë qytetarë hezitojnë të kërkojnë ndihmë psikologjike për shkak të paragjykimeve kulturore. Shëndeti mendor vazhdon të shihet si tabu, ndërsa trajtimi psikologjik si shenjë dobësie. Kjo heshtje, në shumë raste, ka rezultuar fatale. Mungesa e edukimit emocional në familje dhe në sistemin arsimor po lë brezat e rinj pa mjete për të përballuar sfidat e jetës.
Një tjetër pasojë e kësaj krize është moskujdesi në komunikacion, i cili po merr përmasa shqetësuese. Aksidentet e shpeshta, shpesh me fatalitet, nuk janë vetëm rezultat i infrastrukturës apo mungesës së rregullave, por edhe i gjendjes emocionale të drejtuesve të automjeteve. Stresi, nervozizmi, mungesa e durimit dhe vetëkontrollit po shndërrojnë rrugët në hapësira të rrezikshme, ku jeta e qytetarëve vihet në rrezik çdo ditë.
Po ashtu, gjatë kësaj vere, Kosova është përballur me një valë zjarrvëniesh të qëllimshme në zona pyjore dhe rurale. Kjo armiqësi ndaj natyrës nuk është thjesht akt vandalizmi, por pasqyrim i një gjendjeje të brendshme të shthurur, ku individi i zhytur në frustrim dhe mungesë ndjeshmërie shpreh dhunën edhe ndaj ambientit. Djegia e pyjeve, shkatërrimi i biodiversitetit dhe rrezikimi i komuniteteve lokale janë dëshmi se kriza emocionale nuk ndalet te njeriu, ajo përhapet edhe te natyra që na rrethon. Kur njeriu humb lidhjen me veten, humb edhe lidhjen me tokën.
Zgjidhja nuk qëndron vetëm në reagimin pas krizës, por në ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm të mbështetjes emocionale. Duke përfshirë integrimin e profesionistëve të shëndetit mendor në çdo institucion publik si shkolla, qendra mjekësore, polici, gjykata. Trajnimin e stafit institucional për të identifikuar shenjat e hershme të krizës emocionale. Fushata vetëdijësimi për të luftuar stigmat dhe për të promovuar normalizimin e kujdesit për shëndetin mendor. Mbështetje financiare dhe ligjore për shërbimet psikologjike komunitare dhe terapitë sociale.
Shëndeti mendor nuk është luks, por nevojë themelore për një shoqëri të qëndrueshme. Nëse nuk e trajtojmë me seriozitet, pasojat do të jenë gjithnjë e më të rënda, jo vetëm për individët, por për të gjithë strukturën sociale. Kosova ka nevojë për një strategji kombëtare për shëndetin mendor, e cila të mos mbetet vetëm në dokumente, por të zbatohet me përkushtim dhe transparencë. Vetëm atëherë mund të ndërtojmë një shoqëri ku kujdesi për mendjen, trupin dhe natyrën janë pjesë e së njëjtës baraspeshë njerëzore.