Një ditë para vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Lahi Brahimaj, ka deklaruar se partia e tij do ta respektojë në përpikëri vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por ka theksuar se nuk do të votojnë asnjë kandidat të Listës Serbe për postin e nënkryetarit të Kuvendit. “Në përpikëri, prej seancës së parë e deri më sot, ne kemi respektuar të gjitha ato që kanë dalë nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Edhe kësaj radhe do ta respektojmë në plotni vendimin e Gjykatës”, tha Brahimaj për media, duke shtuar se AAK-ja do të marrë pjesë në seancë, por nuk pret ndonjë zgjidhje konkrete. Sipas tij, ngërçi politik po zgjatet qëllimisht nga Vetëvendosje. “Mendoj se nesër do të jetë skenar i njëjtë si në seancën e fundit me kryesuesin Basha. Interesi i Kurtit nuk është që të formohen institucionet, por që kjo situatë të vazhdojë në pafundësi”, deklaroi ai. Deputeti i AAK-së bëri të ditur se grupi parlamentar i partisë do të zhvillojë konsultime para seancës, por qëndrimi i tyre është i qartë: respektim i vendimit të Gjykatës Kushtetuese pa votim për Listën Serbe. “Kushtetuta na obligon të marrim pjesë në proces, por jo të japim votën për kandidatët e Listës Serbe. Kjo është pozita jonë parimore”, përfundoi Brahimaj.
