Komunat me shumicë serbe po largohen gradualisht nga Asociacioni i Komunave të Kosovës duke rritur tensionet politike dhe duke sfiduar funksionimin normal të qeverisjes lokale në vend. Analistët vlerësojnë se ky veprim nuk ka për qëllim përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, por shërben si instrument politik për delegjitimimin e institucioneve të Kosovës dhe për avancimin e ideve për një “Bashkësi të Komunave Serbe” në mënyrë të njëanshme, jashtë kuadrit ligjor. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për nënkryetarin e Kuvendit nga komuniteti serb, ky hap shihet si vazhdim i strategjisë për të rritur autonominë lokale të komunave serbe, duke tejkaluar kompetencat e përcaktuara me Kushtetutën, Dokumentin e Ahtisaarit dhe marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit. Draft statuti i Asociacionit me Shumicë Serbe parashikon sisteme paralele arsimore, shëndetësore dhe administrative, duke rrezikuar unitetin institucional dhe decentralizimin e vendit. Ekspertët paralajmërojnë se largimi i komunave serbe nga AKK është një hap drejt përshkallëzimit të tensioneve politike dhe krijimit të institucioneve paralele, që mund të dëmtojë stabilitetin dhe dialogun ndërmjet komuniteteve. Ata theksojnë se rikthimi i komunave serbe në kuadër të AKK është i domosdoshëm për koordinimin e politikave lokale, zbatimin e ligjit dhe përmirësimin e kushteve të jetës për qytetarët e të gjitha komuniteteve.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
