Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ka nderuar figurën e heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, në 620-vjetorin e lindjes së tij, duke e cilësuar atë si mburojë jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Evropës. Në një ceremoni përkujtimore të mbajtur pranë monumentit të Skënderbeut në Prishtinë, Malaj u shpreh se kjo është një ditë e shënuar për kombin shqiptar, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë dhe krenarisë kombëtare përmes edukimit të brezave të rinj. “Skënderbeu ishte një mburojë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Evropën. Kjo është shumë e rëndësishme dhe në ditët e sotme që po kalojmë të gjithë së bashku”, tha ambasadori Malaj. Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, i lindur më 6 maj 1405, u bë simboli i rezistencës shqiptare kundër Perandorisë Osmane. Ai udhëhoqi Lidhjen e Lezhës dhe zhvilloi mbi 20 beteja të suksesshme, duke mbrojtur trojet shqiptare për më shumë se dy dekada.
