Kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi përmes një postimi në facebook ka ftuar votuesit e tij që të mobilizohen për fitoren që i pret dhe të bëhen gati, edhe më shumë, për punët e shumta dhe projektet e mëdha që kanë  para vetes për t’i bërë realitet, e që përmirësojnë jetën dhe mirëqenien e qytetarëve të Rahovecit.
Të dashur qytetarë të Rahovecit, mbështetës e bashkëpunëtorë,
Jemi gjashtë ditë larg 9 nëntorit, kur do të votojmë për të përcaktuar modelin e qeverisjes për katër vitet e ardhshme. Duke ju falënderuar për mbështetjen dhe përkrahjen që më motivon të vazhdoj me punë e përkushtim për komunën tonë, unë do të jem para jush dhe me ju në këto ditë, për t’u përgjigjur pyetjeve tuaja, për të dhënë sqarime për planet e mia dhe për të shtjelluar hollësisht programin tim qeverisës.
Le t’u japim frymë qytetarie dhe kulture ditëve të mbetura të fushatës, duke biseduar për të ardhmen tonë pa ngarkesa e pa paragjykime. Tubimet tona nisin sonte në Krushë të Madhe, në Shtëpinë e Kulturës “Muhamet Malësori”, në orën 19:00, ku unë dhe bashkëpunëtorët e mi do ta shpalosim programin qeverisës para qytetarëve.
Le të mobilizohemi për fitoren që na pret dhe të bëhemi gati, edhe më shumë, për punët e shumta dhe projektet e mëdha që kemi para vetes për t’i bërë realitet, e që përmirësojnë jetën dhe mirëqenien e qytetarëve të Rahovecit.
Faleminderit për përkrahjen dhe bashkëpunimin me përkushtim për komunën tonë”, ka shkruar në facebook, kryetari Latifi.