Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Hardinaj dhe ushtruesi i detyrës së kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj kanë përkujtuar ideologun e shquar e çështjes sonë kombëtare, Ukshin Hotin. Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka shkruar se për shkak të këndvështrimit të tij të veçantë politik, Ukshin Hoti shfaqte rrezik të përhershëm për regjimin. Ai u përndjek dhe u burgos nga organet e pushtuesit, e më pas u zhduk fizikisht, e ne ende nuk kemi përgjigje për fatin e tij. Por, ata kurrë nuk arritën të shuajnë idetë, të cilat me krenari vazhdojmë t’i ndjekim. Ne asnjëherë nuk duhet të ndalemi së kërkuari drejtësi për të gjitha krimet që pushtuesi serb i kreu në vendin tonë, në respekt të veprës e sakrificës jetësore të Ukshin Hotit dhe mijëra bashkëkombësve tanë, që pësuan nga gjenocidi. Ndërsa ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj ka vlerësar se Ukshin Hoti ishte ndër intelektualët dhe diplomatët e parë të Kosovës, i cili e arsyetoi dhe zbërtheu në teori e praktikë, kërkesën e shqiptarëve të Kosovës për lirinë, barazinë dhe Republikën. Ai formësoi mendimin politik shqiptar në dy dekadat e fundshekullit njëzet, frymëzoi kryengritjen të cilën e jetësoi brezi i UÇK-së. Ai promovoi etikën politike, sepse politika pa etikë nuk nxit ndjenjën e përgjegjësisë shoqërore, duke u bërë shembull që duhet ndjekur nga elitat politike të shqiptarëve gjithandej.
