Liria ka emër” thërret marsh për drejtësi: Procesi në Hagë ndaj krerëve të UÇK-së u ndërtua mbi anomali dhe padrejtësi

Platforma qytetare “Liria ka emër” ka paralajmëruar se më 17 shkurt, në ora 14:00, do të organizojë një marsh paqësor për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë nga Dhomat e Specializuara. Njëra nga organizatoret e marshit, ish-deputetja Eliza Hoxha, ka deklaruar se që nga fillimi i këtij procesi gjyqësor ka pasur parregullsi serioze dhe anomali të shumta, të cilat, sipas saj, e vënë në pikëpyetje legjitimitetin dhe drejtësinë e vetë gjykatës. “Që në mënyrën se si janë marrë akterët tanë atje, deri te baza mbi të cilën është ndërtuar gjithë ky proces. Dokumenti fillestar, mbi të cilin u mbështet raporti i Dick Marty-t, argumentet mbi të cilat është themeluar kjo gjykatë dhe rrjedha e mëvonshme e procedurës, janë të gjitha të mbushura me anomali”, ka deklaruar Hoxha në emisionin e Klan Kosovës. Sipas saj, gjykata është ngritur mbi një raport politikisht të motivuar dhe të pabazuar në fakte të verifikuara, duke e kthyer një proces që duhej të ishte drejtësi në një ndjekje selektive kundër luftës çlirimtare të popullit të Kosovës. Organizatorët e marshit theksojnë se ish-krerët e UÇK-së po mbahen në paraburgim të zgjatur, pa prova të qarta dhe pa një gjykim të drejtë e të barabartë, ndërkohë që krimet masive të kryera nga Serbia ndaj popullatës civile shqiptare mbeten kryesisht të pandëshkuara. Platforma u ka bërë thirrje qytetarëve, veteranëve të luftës, familjeve të dëshmorëve dhe të gjithë atyre që besojnë në drejtësi, që të marrin pjesë masivisht në marshin e 17 shkurtit, në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, për të dërguar një mesazh të fuqishëm se UÇK-ja ishte dhe mbetet luftë e drejtë çlirimtare, dhe se drejtësia selektive nuk mund të pranohet.

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Hamza priti ambasadoren e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka pritur në selinë e partisë …