Luela Myftari: Të mësojmë Esperanto

Në Shqipëri ka mbi 100 vite që mësohet Esperanto, gjuha e vetme që bashkon njerëzit në të gjithë botën. Bardhyl Selimi është profesor i gjuhës e cila në një kohë të afërt do të përdoret edhe në parlamentin evropian. Çuditërisht në vendin tonë Esperanto nuk njihet nga institucionet shtetërore.

 

– Esperanto është gjuha që lindi si nevojë për të unifikuar njerëzit. Por a do të mund ta kthejë ajo kohën pas ashtu siç ishte njerëzimi përpara ndërtimit të kullës së Babelit? Legjenda e kësaj kulle të lartë të ndërtuar nga njerëzit për të komunikuar me Zotin dhe për t’i kërkuar atij gjithçka është edhe fillesa e gjuhëve të huaja. Thonë se Zoti gjithnjë e më shumë po mërzitej me kërkesat e njerëzve dhe zënkat që ndodhnin aty. Një ditë të gjithë e gjejnë veten duke folur gjuhë të ndryshme. Njerëzit filluan të ndiheshin ndryshe nga njëri-tjetri. Këtu fillon përçarja shoqërore. Esperanto pritet të jetë gjuha, e cila do të bashkojë sërish njerëzimin. Në vitin 1887, një okulist polak me origjinë çifute vendosi që të krijonte një gjuhë, e cila do të shërbente për lehtësimin e komunikimit midis njerëzve në të gjithë botën. Dhe krijoi Esperanton, një gjuhë që ka më pak gramatikë dhe është më e thjeshtë për t’u mësuar. Ajo i përngjan latinishtes dhe gjuhëve gjermanike për nga fjalori. Ndërsa, fonologjia e saj ka marrë format më të thjeshta të gjuhëve sllave. Esperanto ka shkronja latine dhe nuk ka idioma që mund ta komplikojnë gjuhën. E megjithatë, sipas të gjithë njohësve të saj, gjuha esperanto është e aftë të shprehë çdo nuancë të mendimit njerëzor.

 

Kongreset, konferencat dhe takimet ndërkombëtare të esperantistëve janë të vetmet ku nuk ndihet fare nevoja për përkthyes dhe ku njerëzit shprehen lirisht, rrjedhshëm e pa komplekse. Aty punët zhvillohen pa asnjë farë inferioriteti gjuhësor e kulturor, siç ndodh zakonisht në të gjitha rastet e ngjashme, kur si gjuhë pune përdoren të ashtuquajturat “gjuhë të mëdha”. Anglishtja, frëngjishtja, italishtja, gjermanishtja e disa gjuhë të tjera gjithnjë më shumë kanë filluar të mbushen me dialektizma dhe me përfshirje të elementëve nga gjuhë të tjera. Njerëz të shquar të artit, shkencës e politikës ndodh që të mos kuptojnë gjithçka në një konferencë a takim sepse ngjyrimet që i jepen një gjuhe, nuk i ngjajnë një tjetre. Këtë vit, në kryeqytetin e Islandës do të zhvillohet kongresi i 97-të i Esperantos në Islandë. Një ndër ata që kanë marrëpjesë në të tilla takime dhe që e njeh mirë këtë gjuhë është edhe Bardhyl Selimi. Në vitin 2006, ai mori pjesë në konferencën e zhvilluar në Firence dhe në vitin 2008 në atë të zhvilluar në Amsterdam. Bardhyli ka punuar përreth 40 vjet profesor i lëndës së matematikës në shkollat dhe universitetet shqiptare. Tani ai është tërhequr zyrtarisht nga puna. Është rreth të shtatëdhjetave dhe jep ende mësim. Mosha nuk e ka penguar atë që të japë mësime të Esperantos që nga viti 1993 e deri sot.

 

“Esperanton kam nisur ta mësoj që kur isha 16 vjeç në Shtëpinë e Kulturës, këtu në Tiranë me ing. Çefo Ficon dhe doc. Vasil Pistolin. Më është dashur rreth një vit për ta mësuar atë, por një jetë e tërë për ta praktikuar”, na tregon ai. Tani ai jep mësime të gjuhës që sipas tij dhe shumë esperantistëve të tjerë, i mbron gjuhët dhe kulturat e tyre nga zhdukja dhe modifikimi. Esperantistët, ashtu sikurse edhe Bardhyli, shpresojnë që nëpërmjet një gjuhe të vetme ndërkombëtare, njerëzit mund t’i përmirësojnë dukshëm marrëdhëniet e tyre. “Asnjë esperantist nuk mohon gjuhët kombëtare dhe vlerat e tyre kulturore”, thotë ai për të mos hedhur dyshime mbi marrëdhënien me gjuhët e tjera. Profesori shqiptar na tregon se mirëkuptimi dhe paqja midis kombësive të ndryshme mund të vijë nëpërmjet përdorimit të një gjuhe të përbashkët neutrale, fonetike e të thjeshtë, siç është Esperanto. Në këtë gjuhë janë përkthyer veprat më të mëdha të letërsisë botërore. Po nga letërsia shqipe? Bardhyli na tregon: “Bashkë me mikun tim polak Tomas Smjelek, kam punuar për përkthimine disa veprave si “Lëkura e qenit” nga Fatos Kongoli, përmbledhje poezish nga Luljeta Lleshanaku apo edhe Ali Podrimja. Në proces përkthimi është “Pallati i ëndrrave” nga Kadare dhe “I humburi” i Kongolit”. Ky i fundit i ka dhënë një mbështetje të madhe përkthimit të veprave të tij në gjuhën esperanto. “Përkthimi i veprave letrare ndihmon që njohësit e gjuhës Esperanto nëpër botë të njihen edhe me kulturën dhe letërsinë shqiptare dhe unë jam i lumtur që ta prezantoj Kongolin, Lleshanakun dhe autorë tjerë si Podrimja në këtë gjuhë dhe në kultura të ndryshme nga kjo e jona”, tregon profesori i Esperantos me shkëlqim në sy dhe me një buzëqeshje të lehtë. Për të njëjtën arsye, ai shkruan çdo muaj për një revistë në Belgjikë.

 

Revista është në gjuhën esperanto dhe botohet nën titullin “Monato”. Korrespondenti shqiptar i “Monatos” tregon për “Shekullin” se nuk ka asnjë mbështetje ekonomike për të përhapur këtë gjuhë në Shqipëri. Gjithçka që fiton si korrespondent e shpenzon për të botuar diçka tjetër në Esperanto, diçka që t’i shërbejë të nesërmen këtij vendi dhe këtyre të rinjve. “Edhe pse Esperanto ka 106 vjet që ka ardhur në Shqipëri nga Lazër Shantoja, unë mendoj se ka ende shumë punë për të bërë” thotë profesor Bardhyli. Pensioni që i ofrohet nga shteti është i ulët. Përpos kësaj ai has rezistencë edhe në radhët e arsimit. “Asnjë instancë shtetërore këtu në Shqipëri nuk e mbështet Esperanton. Madje Ministria e Arsimit nuk njeh as diplomat e të rinjve shqiptarë që e studiuan këtë gjuhë në Poloni”, tregon ai. Kurset i zhvillon ndonjëherë në shtëpi dhe ndonjëherë tjetër në ndonjë barlibrari. Të gjitha falas. Ai ka lindur që të mësojë të tjerët. “Me mësimin e Esperantos, mendoj se po i shërbej një bote më të bukur, një bote ku njerëzit do të jenë më të bashkuar. Shumë institucione dhe organizata ndërkombëtare e kanë pranuar atë si gjuhë pune dhe si një gjuhë që përbën interes për të ardhmen e njerëzimit. Cila është e keqja që i kanoset Shqipërisë nga të mësuarit e kësaj gjuhe? Pse nuk e pranojnë institucionet arsimore shqiptare Esperanton? – ngre pyetjen profesori i Esperantos pa gjetur përgjigje.

 

 A do të kemi një gjuhë të përbashkët?

 

Gjuha esperanto është prezantuar për herë të parë në një projekt të realizuar nga Ludwik Lejzer Zamenhof. Ai ishte nga Dialistok, një qytet verior në Poloni dhe kishte origjinë çifute. Që në fëmijëri, okulisti polak mendonte se njerëzit duhet të unifikohen në një gjuhë të vetme. Edhe pse Esperanto-ja ka 126 vjet që na është prezantuar, ajo jeton ende edhe sot. Madje për të tregohet një interes i madh në të gjithë botën. Esperanto ka nisur të përhapet në Shqipëri më gjerësisht pas vitit 1990, ndonëse esperantistë të veçuar, madje shumë të shquar kanë ekzistuar 100 vjet më parë, veçanërisht në qytetin e Shkodrës, si dom Lazër Shantoja, Cuk Simoni, Mark Kakariqi, Janko Pali, vëllezërit Mikel dhe Wilhelm Koliqi, dr. Hamdi Sulçebe, ing. Çefo Fico, Zef Mjeda dhe veterani doc. Vasil Pistoli. Sot, në Shqipëri këtë gjuhë e dinë më shumë se 500 persona, disa prej të cilëve janë diplomuar në Poloni, pas mësimeve të para në Tiranë. Dhjetëra studentë kanë studiuar dhe janë diplomuar për turizëm e kulturë ndërkombëtare në Poloni, duke përdorur si gjuhë pune Esperanton. Pas vitit 1997 e në vazhdim, studentët kanë mbrojtur me diplomat e tyre tema nga historia, gjeografia e kultura shqiptare. Shumë institucione dhe organizata ndërkombëtare e kanë pranuar qëkur atë si gjuhë pune. Ndër to përmendim shoqatën botërore të radiotelegrafisë, Kryqin e Kuq Ndërkombëtar, Partia Radíkale Trans-nacionale, etj. Qindra radiostacione dhe televizione transmetojnë rregullisht emisione në gjuhën Esperanto. Gjithashtu, janë përkthyer shumica e kryeveprave të letërsisë botërore në gjuhën Esperanto. 26 përqind e parlamentarëve evropianë janë dakord me unifikimin dhe përdorimin e kësaj gjuhe në konventat, konferencat apo seancat parlamentare të Bashkimit Evropian. Po a do të rikthehet njerëzimi pas në kohë, në atë kohë kur edhe kulla e Babelit nuk ishte ndërtuar ende? Nëse kemi një monedhë të përbashkët, a do të kemi edhe një gjuhë të përbashkët, një gjuhë si Esperanto?

Leksion

 

Për të kuptuar realisht se si tingëllon Esperanto, gjuha që lexohet njëlloj si edhe shkruhet, ne do t’ju sjellim disa shembuj. Të gjitha këto na i përcolli profesori nga libri i tij “?u vi parolas Esperanton?”, të botuar më vitin 2004. Ai është një kurs i shkurtër i gjuhës ndihmëse ndërkombëtare. Mi jam parolas Esperanton. – Tashmë e flas Esperanton. Malgra? la malfacila?oj ili sukcesis realigi la planon. – Me gjithë vështirësitë ata arritën ta realizojnë planin. Mi deziras ke ni kantu. – Dëshiroj që të këndojmë. Estus bone ke vi silentu.– Do të ishte mirë që të heshtësh. Mi volas danci kun vi. -Dua të vallzoj me ju. Oni devas plenumi la taskojn akurate. -Detyrat duhen plotësuar mirë e bukur. Ili ne povas ataki nin. -Ata s’mund të na sulmojnë.

Kontrolloni gjithashtu

Tefta Çami: Vizita në Theth të Dukagjinit, më ka lënë shumë mbresa

Tefta Cami: Vizita në Theth të Dukagjinit, më ka lënë shumë mbresa

Me 26-27 tetor të këtij viti shkova e vizitova me vajzën time, Alma dhe me …