Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, i është bashkuar sot protestës së organizuar nga përfaqësues të komunitetit të biznesit, për të kundërshtuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike. Vendimi pritet të hyjë në fuqi brenda tri ditësh, dhe ka ngjallur shqetësime të thella te bizneset që paralajmërojnë pasoja serioze për sektorin prodhues. Duke folur para mediave, Rafuna theksoi se aktualisht vendi ndodhet në një fazë tranzicioni, ku për një periudhë prej 60 ditësh obligimet për furnizim mbeten te KEK-u. Megjithatë, ai paralajmëroi se edhe në këtë periudhë, çmimi nuk është i rregulluar, por përcaktohet nga tregu, gjë që, sipas tij, krijon pasiguri për stabilitetin ekonomik të bizneseve. “Është faza e tranzicionit ku 60 ditë e ka për obligim KEK-u, dhe KEK-u prapë me çmim të tregut, dhe jo me çmim të rregullum”, deklaroi Rafuna.
