Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj situatës politike në vend, në një ditë kur liderët evropianë po zhvillojnë samitin e tyre në Tiranë. Ai ka shprehur shqetësimin se Kosova po mbetet prapa, pa institucione funksionale dhe ende nën masa sanksionesh nga Bashkimi Evropian. Abdixhiku ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për mungesën e urgjencës në tejkalimin e krizës institucionale. Ai ka kujtuar se në takimin e djeshëm me presidenten Vjosa Osmani dhe liderët tjerë politikë, Kurti ka deklaruar se “nuk ka urgjencë” për të zgjidhur ngërçin aktual. Sepse kemi rënë. Po vazhdojmë rënien. Të tjerët po vazhdojnë ecjen. Të tjerët po ndërtojnë. Të tjerët po bëhen pjesë e së ardhmes së bukur evropiane që tani u shfaqet vetëm pak vite larg, ka shkruar Abdixhiku. Ai e ka cilësuar Shqipërinë si epiqendrën e re të zhvillimeve rajonale, ndërsa Kosova, sipas tij, vazhdon të izolohet nga progresi dhe zhvillimi për shkak të ngecjeve të brendshme politike.
