Analistja Magbule Sadri Shkodra ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në raportet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke i cilësuar ato si një nga paralajmërimet më të rënda që vendi ka marrë ndonjëherë nga partneri i tij më i madh strategjik. Sipas saj, qytetarët shpesh nuk e kuptojnë menjëherë peshën e këtyre sinjaleve politike, derisa pasojat prekin drejtpërdrejt jetën e tyre të përditshme. “Kjo që ndodhi me SHBA-në është një nga paralajmërimet më të forta që qytetarët e Kosovës kanë marrë ndonjëherë: kur partneri më i madh strategjik të mbyll derën, është shenjë se diçka ka shkuar shumë keq,” ka shkruar Shkodra. Ajo ka paralajmëruar se mungesa e investimeve amerikane, rënia e mbështetjes ndërkombëtare dhe dobësimi i aleancave strategjike do të reflektohen në humbje vendesh pune, ngecje të ekonomisë dhe rrezikim të sigurisë së vendit. “Atëherë kur e ndiejnë në xhep dhe në perspektivë, qytetarët e kuptojnë se kokëfortësia politike nuk është ‘qëndresë’, por shkatërrim i ardhmërisë së vendit,” theksoi ajo.
