Malisheva feston lirinë dhe kujton sakrificën e dëshmorëve në 26 vjetorin e çlirimit

Me aktivitete të shumta, nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Malishevës, z. Ekrem Kastrati, Komuna e Malishevës shënoi të hënën një nga datat më të rëndësishme të historisë së saj, 16 Qershorin, Ditën e Çlirimit dhe Ditën e Dëshmorëve. Kjo datë lidhet ngushtë me rënien e dëshmorit të parë, të fundit, dhe çlirimin e Komunës së Malishevës.

Në fillim, Kryetari Kastrati priti mysafirët në një ceremoni zyrtare, pas së cilës u bënë homazhe dhe u vendosën kurora lulesh në varrezat e dëshmorëve në Malishevë dhe Kleçkë. Po ashtu, u përurua pllaka me “Betimin e ushtarit të UÇK-së”, pranë muzeut dhe shtëpisë së OVL të UÇK-së në Malishevë, si dhe u hap zyrtarisht objekti i ri i dedikuar veteranëve të luftës, përkatësisht OVL të UÇK-së në Malishevë.

Manifestimi qendror u mbajt në Shtëpinë e Kulturës “Tahir Sinani”, ku përveç fjalimeve solemne, u ndanë edhe çmimet tradicionale për trimëri, heroizëm, kontribut në arsimin shqip dhe shëndetësi.

Me këtë rast, drejtuesit e komunës dhe të organizatave të dala nga lufta uruan të gjithë qytetarët për Ditën e Çlirimit, duke përkujtuar me nderim 85 dëshmorët e Malishevës, të rënë në luftën çlirimtare të UÇK-së.

“Kjo është dita e krenarisë sonë. Shënojmë 26-vjetorin e çlirimit të Malishevës, kujtojmë dëshmorët dhe sakrificën e secilit luftëtar, që bashkë me përkrahjen e popullit dhe të botës demokratike, sollën lirinë. Malisheva ishte zemra e luftës: selia e shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, vendi i zërit të lirisë dhe i diplomacisë ndërkombëtare,” tha kryetari Kastrati. Ai shtoi se liria nuk është e plotë pa lirimin e krerëve të luftës që po mbahen padrejtësisht në Hagë, si Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Isni Kilaj, Haxhi Shala dhe të tjerë. Kastrati foli edhe për zhvillimin e përgjithshëm të komunës pas luftës, duke theksuar investimet dhe lirimin e hapësirave publike në mandatin e tij.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Malishevës, z. Argjend Thaçi, theksoi se “Malisheva ishte zemra e rezistencës dhe luftës çlirimtare”, duke përmendur kronologjinë e përpjekjeve për liri dhe rolin e veçantë të dëshmorëve, të cilët, siç tha ai, “nuk e panë lirinë, por janë drita e saj”. Edhe kryesuesi Thaçi, shprehu shqetësimin e përgjithshëm për mbajtjen të padrejtë të krerëve të luftës, në nga ana e gjykatës në Hagë.

Në fjalën e tij, kryetari i degës së OVL të UÇK-së në Malishevë, z. Metush Kryeziu, bëri thirrje për bashkim të spektrit politik në shërbim të interesave të vendit. Ai gjithashtu shprehu shqetësimin e të gjithëve, për mbajtjen e padrejtë të krerëve të UÇK-së në gjykata ndërkombëtare, duke uruar qytetarët për këtë ditë të rëndësishme.

Në fund të manifestimit, u ndanë çmimet tradicionale:

Për trimëri dhe heroizëm – Çmimi “Imer Krasniqi”:

Naser Shala (pas vdekjes), Tahir Ulluri, Feim Thaçi (pas vdekjes), Hajdin Berisha (pas vdekjes) dhe Hajrullah Mazreku (pas vdekjes).

Për kontribut në mjekësi – Çmimi “Dr. Shpëtim Robaj”:

Dr. Haki Balaj (pas vdekjes), Fatime Gashi-Mazreku dhe Shehide Hoti-Gashi.

Për kontribut në arsimin shqip – Çmimi “Hamdi Berisha”:

Sylejman Telaku dhe Haxhi Kastrati.

Në fund, është dhënë edhe një program kulturor dhe artistik.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti priti në takim grupet folklorike dhe ansamblet që do të marrinë pjesë në festivalin e folklorit ndërkombëtar “Folk Fest Anamorava 2025”

Kryetari Haliti priti në takim grupet folklorike dhe ansamblet që do të marrinë pjesë në …