Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, me ftesë të Zëvendëskryeministrit dhe Ministër i Mbrojtjes i Republikës së Kroacisë, Ivan Anushiç, ka marrë pjesë në paradën e ushtrisë kroate, me rastin e shënimit të 30-vjetorit të operacionit “Stuhia”.
Me nderime e ndoqa këtë parakalim të Forcave të Armatosura të Republikës së Kroacisë, më i madhi i tillë i ushtrisë kroate që nga pavarësimi i Kroacisë më 25 qershor 1991.
Operacioni “Stuhia” ishte një operacion i ushtrisë kroate i zhvilluar nga 4 deri më 7 gusht të vitit 1995, kundër trupave të kuazi-shtetit të vetëshpallur, Republikës Serbe të Krajinës. I pasuar me luftime deri më 14 gusht, Operacioni “Stuhia” ishte vendimtar në Luftën Kroate për Pavarësi (1991 – 1995).
Shumë shqiptarë ishin pjesë e këtij operacioni dhe luftuan krah për krah me ushtarët kroatë, duke i kontribuar çlirimit të popullit kroat dhe pavarësimit të Kroacisë nga Jugosllavia e dominuar nga Serbia.
Luftërat në Jugosllavi gjatë dekadës së fundit të shekullit XX, e kanë përafruar popullin shqiptar me popullin kroat, përballë politikave hegjemoniste dhe kriminale të Serbisë. Kosova dhe Kroacia janë dy shtete aleate që angazhohen për paqe në rajon, sepse shqiptarët dhe kroatët janë dy popuj miq, që besojnë te demokracia dhe fqinjësia e mirë. Ne nuk e harrojmë të kaluarën, andaj do të angazhohemi së bashku që ajo të mos përsëritet, ka shkruar Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.