Nderohet aktorja e madhe, Margarita Xhepa

Margarita Xhepa: Disa mendime rreth vëllimit poetik “Perandor i dashurisë” të poetit Minella Kureta 

Sa herë lexoj e rilexoj këto lirika të rralla, të shkruara me kaq dashuri nga “Mjeshtri i Madh” Minella Kureta, magjepsem pas imazheve kaq eskpresive, nga muzikaliteti dhe eleganca e vargut, prej ndjeshmërisë së fuqishme, njohjes së thellë zakonore të traditës, stilit të thjeshtë, për mesazhet e fuqishme që transmeton, si dhe për forcën emancipuese mbi të cilat ai eksploron. Mbas çdo leximi me kaq vëmendje e frymëzim, mundohem që çdo poezie t’u zbërthej enigmat e tyre të fshehta, duke veçuar idetë e shumta që ky autor ideon, për gjetjet e veçanta, fuqinë e shpirtit, me befasinë dhe forcën emocionuese, se si ai i krijon, duke i shkrirë këto me ngjyrat dhe aromën e luleve, me ngrohtësinë e kuturitjes dhe muzikalitetit që mundohet t’i mjaltëzojë strofë pas strofe e varg pas vargu, duke i ngrohur në brigjet diellorë, të ndriçuar nga kurorat e yjeve të qiellit nën harkun e ylberit. Pikërisht mes përjetimit të këtyre emocioneve kaq magjepsëse, papritur pikëllohem gjer në dhimbje kur mendoj se ky popull të cilit i përkas edhe unë, me kaq histori të lavdishme, me kaq legjenda e legjendarë, me kaq njerëz të mençur e të dashur, me kaq poetë mendjendritur, me kaq artistë të mëdhenj në Shqipëri dhe nëpër botë dhe mbi të gjitha, me kaq pasuri të rralla shpirtërore e kulturore, si dhe me kaq madhështi karakteri e dinjiteti, duhet të ishte më rrezendrituri e më fatbardhi i çdo qytetërimi nga më triumfuesit e botës.

Këtu dyzohet, ngarkohet emocionalisht e psiqikisht dhe qenia ime, ndiej dhimbje të madhe dhe pyes veten se si është e mundur që ky popull nga më të lashtët, nga më të parët në gjuhën e të folurit, fatkeqësisht të mbetej më i fundit në gjuhën e të shkruarit. Një nga popujt më triumfatorë të luftërave për liri dhe fatkeqësisht më shumë për lirinë e popujve të tjerë. Një popull që ka nxjerrë më shumë nga të gjithë prijës të rrallë, estetë, shkencëtarë, filozofë e shenjtorë, por që më shumë i kanë shërbyer popujve të tjerë. Si është e mundur që këtij populli nga më rrezatuesit e Ballkanit dhe Europës, tërë fqinjët, mbasi i morën kulturën e të punuarit e të jetuarit, mbasi i morën dhe shumë territore, me tërë historitë, legjendat e simbolet e tyre ka njëqind vjet që e coptuan në shtatë-tetë pjesë dhe tani ende vazhdojnë në mënyrën më mesjetare për ta mbajturtë izoluar, për ta përçarë historinë, pasurinë kulturore e shpirtërore, deri te varrezat me eshtrat e të parëve. Ky dëshpërim na bën ne, për të tendosur më shumë vëmendjen e për të në të gjitha frontet, duke rritur dashurinë për historinë tonë e simbolet, përtë mbrojtur e propaganduar këtë pasuri të madhe kulturore, historike e shpirtërore me vlerat nga më të rrallat e njerëzimit.

 

Pra për të ruajtur, propaganduar e dokumentuar të gjitha vlerat e këtij populli, sepse ashtu si dielli, toka, ajri, uji e zjarri, pa të cilat nuk do të ekzistonte bota, ato nuk do të kishin kuptim pa elementët e tjerë që janë: ekzistenca, kujtesa, besimi moral, ndjeshmëria dhe mjeshtëria. Sepse është madhështia e kësaj kulture dhe vitaliteti i këtij populli kaq të lashtë që i siguroi dhe ekzistencën përballë kaq popujve grabitqarë dhe shekujve të egër. Është kujtesa dhe vetëdija historike që na ka ushqyer tërë jetën, është besimi ynë moral që na ka mbajtur në shekuj e që na jep besim e shpresë për të ardhmen, me ndjeshmërinë që duhettë kemi ndaj çdo fenomeni dhe mjeshtëria e madhe e mendimit, drejtimit dhe i të bërit të çdo pune, që na sigurojnë edhe madhështinë tonë të përjetëshme. Pikërisht duke ju referuar kujtesës historike, momentit më të dhimbshëm, atë të faktit se shqiptarët si pasardhësit e pellazgëve të quajtur në disa emërtime, në ilirë, arbanë, albanë e së fundi shqiptarë, jemi populli me gjuhën e të folurit nga më të lashtët në botë dhe ndër më të fundit në gjuhën e shkruar, ku prej këtij fakti, të pamerituar për një popull të tillë, kemi humbur shumë, për të mos thënë se kjo është dhe fatkeqësia më e madhe që ka sjellë shumë pasoja. Por, me gjithë këtë pengesë të madhe të shekujve, me gjithë luftërat e mëdha mesjetare, shto këtu edhe ato të sundimit 500 vjeçar otoman, ky popull u rrudh, por nuk humbi. Përkundrazi qëndroi i pathyer asnjëherë dhe kjo falë pikërisht kësaj pasurie të madhe kulturore e shpirtërore, falë vitalitetit të tij dhe trashëgimisë luftarake të një populli të pathyer për të mbrojtur lirinë e tij. Mbas shumë shekujsh me luftëra, intelektualët shqiptarë arritën të bashkohen e të formojnë atë që do të quhej “Rilindja Shqiptare”.

Dhe kjo do të ndodhte pikërisht aty në kryeqytetin perandorak të sundimtarit, në kryeqëndrën osmane, pra në Stambollin shekullor. Padyshim që kontribuesit më të mëdhenj në këtë rilindje do të ishin vëllezërit Frashëri, Naun Veqilharxhi, Kostandin Kristoforidhi, Ismail Qemali, Jani Vreto, PashkoVasa, VasoPasha etj., etj.,që formuan alfabetin shqip, si dhe që me kontributin e konsolidojnë atë në Kongresin e Manastirit. Por nuk mund të lëmë pa përmendur këtu kontributin e jashtëzakonshëm të djalit të Abdylit, Mit’hat Frashërit, familjes Qiriazi dhe patriotëve të tjerë duke shtuar këtu se gati një e pesta e tyre ishin përmetarë e deri tek kontributi i atyre që do ta zbatonin, me në krye përfaqësuesin e kishës katolike që nga At Stath Melani, At Mihal Dhosi, Papa Kristo Negovani, Petro Nini Luarasi etj., etj., duke arritur deri tek i fundit Josif Bageri. Por që disa prej tyre do ta paguanin me kokë nga reaksioni i egër grek, por edhe nga sundimi osman, të cilët donin ta linin këtë vend në errësirë.

 

Një prej korifejve më të shquar që u bë dhe frymëzuesi dhe kontribuesi i shkollave të para pa dyshim që mbetet ai që do të quhej “Bilbili i gjuhës shqipe”, simboli,rrezatuesi kryesor, Poeti Kombëtar Naim Frashëri, i cili mbetet udhërrëfyesi dhe frymëzuesi jo vetëm i shkollave të para, por dhe i letërsisë shqipe ku edhe sot mbas një shekulli e më shumë, ai mbetet simbol i shpirtit patriotik dhe atij artistik, një frymëzues nga më potencialët për gjithë brezat, për të gjithë shekujt. Poezitë historike, ato të ligjërimit të gjuhës së nënës dhe në veçanti ato të thirrjes për bashkimin e rizgjimin e popullit shpërthim shpirtëror, një ndjenjë patriotike të atdhedashurisë të papërsëritëshme. Por dhe në aspektin artistik ato kanë një shkrirje gjuhësore Jug-Veri, për t’u kuptuar nga të gjithë, dhe një fuqi artistike të tillë sa do të bëheshin pjesë e shpirtit popullor në mënyrë të përjetëshme. Por Naim Frashëri mbetet një kollos i madh dhe udhërrëfyesi edhe i poezisë lirike që do të pasohej më vonë nga Çajupi, Ali Asllani, Poradeci, Dritëro Agolli etj. Prandaj do të dëshiroja që Naim Frashëri të kish një monument madhështor në mes të Tiranës ashtu si Heroi Kombëtar Skënderbeu dhe ky që populli mbi një shekull e vlerëson si Poetin Kombëtar, si frymëzuesi i të gjithë krijuesve, si kolosi i gjuhës e letërsisë, si shpirti i pavdekur i popullit shqiptar. Dhe tani një brez tjetër, pas viteve shtatëdhjetë na del një lirik tjetër i jashtëzakonshëm, po nga Dangëllia e Përmetit, që jo vetëm pi ujë në Krojet e Naimit, por dhe nga fuqia shpirtërore dhe idetë që mbart sikur të ishte Naimi, por tash një Naim i ditëve tona.

 

Dhe ky është poeti Minella Kureta, i cili këtë lirizëm kaq shpërthyes do ta mbante të fshehur për ta zbrazur me kaq pathos e guxim mbas ardhjes së demokracisë. E theksojmë këtë ,sepse në vitin 1973, për tre poezi të kritikuara nga kritiku Razi Brahimi, do të çohej në Kllojkë për gjashtë vjet rresht dhe u kthye nga kjo zonë malore nga më të prapambeturat, mbasi të shkruhej një artikull po nga Razi Brahimi, po këtë radhë për poezitë e të korrurave, avujve të plisit dhe rendimenteve të larta. Kjo e kishte bërë këtë poet që për temën e dashurisë të hidhte ndonjë emocion në tekstet e këngëve nëpër koncertet e Majit, por dhe në ato shumë i kontrolluar sa mos të binte shumë në sy, sepse siç thotë populli, “kur digjesh nga qulli, i fryn dhe kosit”. Prandaj duke dashur të jap vlerësimet e mia për vëllimin poetik “Perandori i dashurisë” të këtij poeti kaq lirikodramatik e kaq shpërthyes, më dridhen tërë gjymtyrët e më buçet zemra. Jo vetëm nga emocioni e vorbujt mbresëlënës, por dhe nga përgjegjësia se a do t’i hedh dot të gjitha ato përjetime kaq të forta. Dhe kjo përgjegjësi të shtohet më tepër kur mendon se jetojmë në kohën e një kompjuterizimi global, të një intiligjence e nga dy mastera e nuk dinë ende kush janë themeluesit, miqtë apo armiqtë e shtetit shqiptar. Jetojmë në kohën e një komercialiteti nga më absurdët, të një estetike joshëse e çoroditëse dhe me një erudicion të pakufishëm. Duke patur parasysh këtë tranzicion kaq çorientues e të stërgjatur, me një politikë kaq zhurmuese, herë shterpë e herë të rreme, përballë një emigracioni të presionit tepër agresiv i artit të huaj, e sidomos ai i artit komercial, i tallavave e turbofolkut, ku ligjin e bën tregu. Pra jetojmë në kohën e një letërsie të ashtuquajtur “moderne” por që përballemi me një shthurje totale, përballë prozvaljes dhe vënies në diskutim pa vlerë dhe lakuriqësive me ndikime shkatërruese e ordiniere.

 

Përballë një shtypi shpifës dhe mediave të shumta elektronike që nuk ruajnë as standartin e gjuhës amtare. Janë këto arësyet që më tensionojnë e më tronditin shpesh herë dhe mua, duke ma shtuar merakun se mos na shkulin nga rrënjët çdo të mirë, se mos na largojnë nga gjeneza, nga mugulli i artit popullor tradicional, se mos na xhveshin nga kjo pasuri e jashtëzakonëshme shpirtërore e kulturore, se nuk do të na e falin kurrë brezat. Prandaj dhe, sa herë që jam e lodhur apo e stresuar e që dua të çlodhem apo të qetësohem shpirtërisht, marr e lexoj nga lirikat e mrekullueshme të Minella Kuretës, sa të duket sikur ta heqin stresin me dorë. Nuk e ekzagjeroj nëse theksoj, në veçanti për vëllimin “Perandori i dashurisë”, se këto janë lirikat më ndjellandritëse, që ndriçohen nga rreze dielli, që pikojnë ar prej yjesh dhe prej hënës, se këto kundërmojnë erë rozmarine eborziloku, erë pjeshke, molle e mandarine, të shoqëruar me ultratinguj muzikorë, nga ato që futen në pasuritë më të çmuara shpirtërore dhe në mjeshtëritë më të mëdha e më të vyera të njerëzimit, që përfat të mirë sot kjo pjesë është marrë në mbrojtje edhe nga UNESKO. Dhe për mendimin tim nuk ka nivel më të lartë përfaqësimi të kulturës shpirtërore të Shqipërisë së Jugut për temën e dashurisë se këto lirika. Çdo shqiptar apo të huajt do t’i lexonin me shumë ëndje dy apo tre vëllime poetike me lirika të veçanta, sesa të lexonin 40 apo 50 vëllime me këngët e popullit, për të mësuar mbi pasurinë poetiko-muzikore të shqiptarëve. Dhe në veçanti për të huajt që del dhe vështirësia e përkthimeve, aq më tepër që shumica prej tyre u ka mbetur si vlerë, veç një varg apo një strofë, të tjerat ca nga vargjet e dobëta e arkaike, ca nga ndryshimet e mëdha shoqërore, ca nga ndryshimet apo adoptimet letrare, kanë humbur shumë nga vlerat e tyre.

 

Ndërsa tek lirikat e Minella Kuretës është marrë majaja e vargëzimit e muzikalitetit të artit popullor dhe duke u ndërthurur atyre fabula apo ndodhi të reja, duke i ngritur në art deri në këto përmasa. Në këtë formë ato janë kthyer në perla të rralla që çdo lexues shqiptar t’i lexojë e rilexojë me shumë interes, por dhe për të huajt, është shumë më lehtë të përkthesh e propagandosh dy vëllime me të tillë nivele të larta artistike. Vetëm në këtë mënyrë ato e kanë kryer misionin për nivelin e lartë të përfaqësimit dhe të integritetit përballë çdo kulture e çdo kombi. Pikërisht për këto vlera, për këto feksje mendimesh, për këto shpërthime kaq të zjarrta, për këto përsiatje të befasishme, po i rilexoj për të disatën herë këto lirika dashurie të poetit Minella Kureta, të cilat të shkrepin si vetëtima, të ndrijnë si rreze dielli për fuqinë depërtuese të tyre, për esencën grishëse, tunduese e të patjetërsueshme, përtej çdo vizioni apokaliptik, ku të ushtojnë tingujt muzikorë me rrëkeza mjalti, ku të ndez zjarr e të pikëlon ndjenja, ku të ringre shpresa për t’u ndjerë njeri dhe jo qenie boshe. Ky libër për mendimin tim, vjen si një apel estetik, si një kometë poetike mes yjesh e hënës, mes rrezeve diellore që s’kanë të shuar kurrë. Tek lexon këto lirika kaq drithëruese, të përshkon tërë qenien një ndjesi e papërballueshme, por që nuk çoroditesh Perandor i dashurisë  sepse në to gjen të përshkruar çdo gjë, që nga intimja e përjetuar e shkon deri tek e përjetëshmja, me një individualitet sa çudibërës aq dhe të papërsëritshëm.

 

Dhe këtë e bëjnë vetëm poetë të mëdhenj, me talent të veçantë, që kanë aftësi të veçanta të qëndisin kaq kuturisje të ëmbla e njerëzore, me kaq mençuri e përballim, që krijojnë befasira, që zbulojnë kaq të fshehta e sjellin kaq vlera të reja, me kaq shpërthime emocionale e sinqeritet, duke sjellë një ridimensionim të mëtejshëm të pasurisë shpirtërore, një vlerë më shumë e më shumë në panteonin e poezisë e të këngës tradicionale, për t’ua lënë si trashëgim brezave të ardhshëm, por dhe për të mbetur si përfaqësuesi i tyre më i denjë në çdo shekull. Nuk e tepëroj aspak nëse theksoj se poeti Minella Kureta, së paku për temën e dashurisë, është një Naim Frashëri i ditëve tona. Ai është Esenini shqiptar. Madje do të shtoja, nëse Esenini e ka kaluar një shekull si kolosi e më madhështori në lirikat e dashurisë, edhe Minella Kureta, kam bindjen se do t’i kalojë mbi 100 vite të tjera si mjeshtër i poezisë së shpirtit, si mbret i poezisë së dashurisë, si liriku më i shquar e më i ëmbël i shekullit. Në këtë përmbledhje edhe pse baza frymëzuese kryesore është e bazuar në motivet e folklorit të Shqipërisë së Jugut, pra mbi bazën e pasurisë shpirtërore të trevave të Toskërisë, Labërisë e Çamërisë, ato nuk e zbehin, përkundrazi, të gjitha shkrepëtijnë kaq magjishëm dhe farfurijnë kaq ëmbël sa përveç ndjenjave shpërthyese, të rrënqethin nga emocioni e muzikaliteti, të ngopin dhe të bëjnë të ngrihen dhe të vdekurit nga varri, dhe, pas vdekjes të ndjek shpirti nga pas si fantazma, të dehin me verën poetike-tradicionale të Naimit, Çajupit e Ali Asllanit, të dehin me rakinë poetike të gjenialitetit popullor. Do të isha shumë e lumtur nëse do të ndikoja sadopak te lexuesit, të cilët duhet t’i bashkojnë zemrat dhe shpirtin e tyre me shpirtin e madh të Minellës, autorit të kësaj simfonie, kësaj uverture madhështore të polifonisë poetiko-muzikore, ku tingujt me muzën më përndritëse e më magjepsëse të tyre kumbojnë nga brenda trekëndëshit më të ndritur Toskëri, Labëri e Çamëri, por duke mos lënë në harresë edhe tingujt rapsodikë të Shqipërisë së Veriut. Duke përfunduar po i mbyll këto mendime me urimin tradicional të nënave: “Rrofsh e mbretërofsh”! Por unë do t’i shtoj për mikun tim fjalët: “Rrofsh e mbretërofsh si mbreti i fjalës, si mbreti i të dashuruarve”!

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …