Mijëra fermerë në Kosovë, të shpallur përfitues të subvencioneve nga Ministria e Bujqësisë, vazhdojnë të mos i marrin mjetet financiare që u janë premtuar, pavarësisht se procesi është mbyllur muaj më parë. Vonesat kanë zhytur fermerët në borxhe, të marra me bindjen se do të shlyheshin përmes subvencioneve shtetërore. Një nga ta është edhe Bunjamin Jashanica nga Lipjani, i cili ende nuk i ka marrë mjetet e fituara, ndonëse është shpallur përfitues. Situata e tij pasqyron realitetin e mijëra fermerëve të tjerë që kanë investuar, kanë marrë kredi dhe janë zotuar financiarisht, duke u mbështetur në premtimet institucionale. Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë ka pranuar se pagesat nuk janë ekzekutuar, por nuk ka dhënë asnjë afat konkret se kur fermerët do t’i marrin paratë, të cilat sipas paralajmërimeve duhej të ishin alokuar që në muajin shtator. Pakënaqësia është bërë publike edhe në rrjetet sociale, ku faqja zyrtare e Ministrisë së Bujqësisë është mbushur me komente të fermerëve të revoltuar, që kërkojnë vetëm një gjë: realizimin e subvencioneve që u janë premtuar. Mungesa e transparencës dhe heshtja institucionale kanë thelluar krizën e besimit, duke lënë mbi katër mijë fermerë në pasiguri financiare. Pyetja mbetet pa përgjigje: kur do të përfundojë pritja dhe kur do të dalin fermerët nga borxhet në të cilat u futën duke besuar në fjalën e shtetit?
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
