Matti Nissinen: “Vazhdojmë të mbështesim rrugën euroatlantike të Kosovës”

Në përfundim të mandatit të tij diplomatik në Kosovë, ambasadori i Finlandës, Matti Nissinen, ka shprehur mbështetjen e vazhdueshme të vendit të tij për Kosovën dhe perspektivën e saj euroatlantike. Nissinen theksoi se Kosova është përballur me sfida politike, por mbetet optimist për të ardhmen e saj. “Jemi dëshmitarë të një situate sfiduese politike në Kosovë. Shpresoj që bllokada aktuale të tejkalohet sa më shpejt, sepse është në interesin e të gjithë qytetarëve,” tha ai. Duke folur për marrëdhëniet bilaterale, ambasadori përmendi trashëgiminë e ndërmjetësimit të Martti Ahtisaarit dhe përkushtimin e vazhdueshëm të Finlandës ndaj shtetndërtimit dhe integrimit të Kosovës. “Gjatë mandatit tim, kam dashur të sigurohem që bashkëpunimi bilateral të jetë gjithëpërfshirës. Kemi investuar shumë në përmirësimin e tregtisë dhe në ndarjen e përvojave për proceset integruese,” u shpreh ai. Ai theksoi mbështetjen e fortë të Finlandës për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe NATO:
“Jemi ndër përkrahësit më të afërt dhe më të mëdhenj të Kosovës në çdo nivel, nga Brukseli deri te forumet dypalëshe. Kemi ndarë përvojat tona për ndërtimin e kapaciteteve institucionale që i nevojiten një shteti në rrugëtimin e tij drejt anëtarësimit.” Matti Nissinen largohet nga Kosova pas një mandati diplomatik që u karakterizua me intensifikim të bashkëpunimit në fusha të shumta dhe mbështetje të qartë për rrugën euroatlantike të vendit.

Kontrolloni gjithashtu

Zahrije Podrimqaku, mes lotësh para mediave rrëfen torturat nga gardiania Nadica Cvetkoviq

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca fillestare ndaj të akuzuarës Nadica Cvetkoviq, e …