Mbahet marsh sensibilizues për kancerin e gjirit

Gjatë ditës së sotme është mbajtur një marsh sensibilizues për kancerin e gjirit, i organizuar nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në bashkëpunim me Spitalin Rajonal të Ferizajt.

Marshi ka filluar nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare dhe ka vazhduar deri te sheshi i qytetit “Adem Jashari” në Ferizaj.

Në këtë aktivitet morën pjesë stafi i QKMF-së, Spitalit Rajonal, IKSHP-së, QSHM-së, drejtues të Policisë së Kosovës, si dhe nxënës të shkollës fillore të mesme të ulët “Ahmet Hoxha” në Ferizaj.

Të pranishmëve iu drejtua drejtori në detyrë i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, dr. Kemajl Emini, i cili theksoi rëndësinë e kontrolleve të rregullta për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të kësaj sëmundjeje.

“Ne inkurajojmë që të kryhen kontrolle të vazhdueshme, pasi zbulimi i hershëm shpëton jetë. Po ashtu, gjatë këtij muaji, kontrollet mamografike janë falas edhe një arsye më shumë që të mos neglizhohet kjo sëmundje,” tha ai.

Edhe kapiten Ismet Dervishi, komandant i Stacionit të Policisë në Ferizaj, përgëzoi stafin e QKMF-së për organizimin e këtij aktiviteti, duke theksuar se këto nisma janë shumë të rëndësishme për të gjithë, pasi kontribuojnë në ndërgjegjësimin dhe parandalimin e kancerit të gjirit.

Ndërsa Afërdita Muharremi-Islami i njoftoi të pranishmit për të gjitha aktivitetet që janë zhvilluar gjatë muajit rozë, duke i dhënë fjalën më pas të mbijetuarës nga kanceri, infermierës Mexhide Shabani.

Ajo u bëri thirrje të gjitha grave dhe vajzave që të kryejnë mamografi dhe ultrazë në mënyrë të rregullt, për të ruajtur shëndetin e tyre.

Në fund të aktivitetit, infermierët e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare shpërndanë fletushka informuese për ndërgjegjësimin dhe parandalimin e kancerit të gjirit.

Kontrolloni gjithashtu

Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Arsim Rexhepi” në Sazli bëhet me tabela digjitale

Falë bashkëpunimit me organizatën Barakah Charity, Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Arsim Rexhepi” në …