Më shumë se 60 organizata të shoqërisë civile në Kosovë kanë reaguar ashpër ndaj vazhdimit të ngërçit politik, duke e cilësuar situatën si të papranueshme dhe të rrezikshme për stabilitetin demokratik të vendit. Në një deklaratë të përbashkët për media, organizatat joqeveritare kanë shprehur shqetësimin e tyre të thellë për mosfunksionalizimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, duke theksuar se kjo krizë ka kaluar çdo kufi të tolerueshëm. “Kriza institucionale që pasoi zgjedhjet e 9 shkurtit ka kaluar çdo kufi të tolerueshëm dhe po dëmton jo vetëm Kuvendin, por edhe funksionimin e gjithë sistemit demokratik dhe institucional të vendit,” thuhet në reagim. Sipas tyre, qeveria aktuale po vepron pa mbikëqyrje parlamentare, çka përbën një shkelje të rëndë të parimeve demokratike. Mos funksionalizimi i Kuvendit është i papërgjegjshëm dhe i dëmshëm,” theksohet në deklaratë, duke paralajmëruar se ky stagnim mund të minojë besimin e partnerëve ndërkombëtarë në Kosovë si shtet serioz dhe funksional.
