Brickos

Mbrëmja festive e Vitit të Ri 2024 në TV-Dielli, solli një segment autentik, burimor, të moderuar të këngës së sotme shqipe

Mbrëmja festive e Vitit të Ri 2024 në TV-Dielli, solli një segment autentik, burimor, të moderuar të këngës së sotme shqipe

Prej themelimit dhe fillimit të transmetimit të programit më 15 nëntor 2016,  TV-Dielli,  i ka kushtuar dhe i kushton rëndësi të posaçme këngëve burimore shqiptare, melosit autentik i amalgamuar dhe i ricikluar gjatë shekujve nga Iliria e Dardania, te Arbëria e Shqipëria. Në shtrirjen e vet sinkronike dhe diakronike, kënga shqipe ka kaluar në të gjitha  etapat e zhvillimit, pasurimit, ndikimit të ndërsjellë dhe ruajtjes në masë të madhe të këngës e muzikës burimore deri në ditët tona. Ajo tani po pasurohet duke u mbështetur në traditën e vet, por edhe duke u rilindur e duke u zgjeruar, duke u pasuruar e duke përparuar në forma të reja këndimi,  pa u shkëputur  nga tradita e trashëgimia, por duke u përpunuar lehtas, sidomos nga brezi i ri i këngëtarëve  e këngëtareve dhe nga komponentët përcjellës muzikorë nëpër studio profesionale mjaft të përparuara. 

 Në botën  e mrekullive të  këngës shqipe ka shumë emra të njohur e shumë të njohur, ka shumë grupe këngëtarësh e këngëtaresh, ndër  më të njohurit e këngës, si të muzikës burimore, folklorike shqiptare, asaj  popullore, të përpunuar,  deri te muzika simfonike e operistike. Në këtë botë komplekse, heterogjene dhe homogjene  në të njëjtën kohë, shquhen dhe mbijetojnë  më profesionistët, më meritorët,  të cilët shfaqen me origjinalitet,  edhe atëherë kur duket se kanë emituar e improvizuar, ata janë vetvetja, janë brumi dhe nektari i këngës, të dalë po nga brumi i trashëgimisë për të përparuar më tej, jo vetëm për veten dhe për afirmimin e tyre individual, apo grupor,  por për botën e muzikës në përgjithësi  dhe asaj shqiptare në veçanti.

 Në mesin e këngëtarëve të kësaj kategorie profesionistësh, qoftë me arsimim adekuat ose fare pa të,  por me talent të lindur, me dashuri e përkushtim të papërmbajtur për këngën, e cila i referohet shpirtit dhe buron  nga shpirti, shquhen në Kosovë këngëtarë e këngëtare të shumtë. Kësaj radhe jemi përkufizuar të shkruajmë pak rreshta për  këngëtarët e këngëtaret,  të cilët u prezantuan  në Programin festiv të Vitit të Ri, në TV-Dielli. Programi është përgatitur në bashkëpunim me Driton Fazliun dhe Muhamet Selimin, (edhe instrumentistë përcjellës) dhe këngëtarin e mirënjohur,  Hysni Klinaku.  

Në një studio të thjeshtë, por profesionale dhe e pajisur në të gjitha pajisjet e nevojshme teknike, kësaj radhe  janë paraqitur  me këngët e tyre, të kënduara me afinitet e përkushtim, me dashuri e njëzim, me zëra melodikë vokacionesh të ndryshme:

Linda Hakaj, Ymer Bajrami, Nikollë Nikprelaj, Lendita Selimi, Sefë Duraj, Gentiana Gjergji, Taulant Bajraliu, Milaim Mezini, Riza Selimi, Shqipe Abazi, Ismet Balaj, Resmije Krasniqi, Vida Kunora, Arton Zogaj, Ali Gashi,  Merita Gashi, Nazmie Prokshi, Motrat Hoxha, Abdulla Musliu, Abran Vidrica, Arianit dhe Agron Gojçaj, Arlinda Dragaj, Arsim Llumnica, Besim Zeqiri, Bujar Mustafa, Florim Gega, Hajrije Preniqi, Hetem Matoshi, Liridon Haxhijaj, Lulzim Mollopolci, Kushtrim Musliu, Skënder Shabani, Muhamet Ahmeti, Xhavit Dervisholli dhe Nebih Dauti.

 Kësaj radhe nuk arrijmë të shkruajmë për secilin veç e veç, por do të përpiqemi të vëmë në pah disa veçori e karakteristika të përgjithshme të këtyre këngëtarëve dhe këngëtareve që këndojnë solo dhe në duet dhe që tani e tutje do të jenë pjesë e programit muzikor të TV-Diellit dhe Radios-Kosova e Lirë.

 Duke shkuar e duke botuar shkrime për këngëtarët në shumicë dërrmuese shqiptarë të trevave tona etnike, pastaj arbëreshë e arvanitas por edhe ndonjë të huaj,  nga viti në vit kam vërejtur rrugëtimin e këngës shqipe, kryesisht në binarët e vet burimorë e trashëgues. Në këtë mes më ka bërë përshtypje segmenti  i atyre që i kam quajtur rifreskues të këngës shqipe, jo imitues  të thjeshtë sikur ende bën shumica, por mbëltues të këngëve, të cilat i ngrehin në nivelin e tyre artistik të këndimit, duke i ri kënduar e përpunuar, duke iu dhënë një vokacion origjinal të zërit të përkushtuar pa e prekur tekstin origjinal, pa e shkurtuar  apo deformuar, por duke e begatuar me version të ri, një si moderim, jo vetëm të lejueshëm por edhe shumë të preferuar. Kësaj forme të këndimit iu kanë përmbajtur  të gjithë këngëtarët e këngëtaret e përmendura, në mesin e tyre dhe mjaft të afirmuar e të njohur, por edhe të rinj në moshë dhe ende jo sa duhet të njohur.

 Serioziteti i këndimit dhe i paraqitjes dinjitoze para publikut, maturia dhe vetëpërmbajtja në kufi të entuziazmit, pedanteria në veshje e në sjellje gjatë këndimet,  qëndrimi serioz dhe orkestrimi profesional me vokacion të lartë interpretues e artistik, janë disa nga veçantitë e këtyre këngëtarëve, rifreskues të këngës burimore shqiptare.

 Paraqitja e tyre në Programin  e Vitit të Ri në Televizionin Dielli,  për nga ana e jashtme, fizike,  nuk është diçka e re, as nuk është për herë të parë me ndonjë përjashtim, po programi si i tillë mbanë me vete një varg vlerash autentike të cilat duhet të transmetohet me qëllim edhe të begatimit të këngës shqipe në përgjithësi…

 Këta këngëtarë janë në gjendje të këndojnë këngët e secilit këngëtar, që nga më të moshuarit,  që tani nuk janë më në radhët e të gjallëve, e deri te këta të sotmit, meqë disponojnë të gjitha elementet që përbëjnë dhe nënkuptojnë një këngë të “rifreskuar” artistikisht, duke e ndjerë thellë në shpirt vokacionin krijues, botën e pasur të perceptimit të muzikës, jo duke vënë në pikëpyetje origjinalin, apo këngëtarin e parë e të dytë, por duke u dhënë një hov të ri këngëve  e duke i ngritur në një nivel të ri, në radhë të parë për të mos u lënë në harresë dhe për të rrjedhë atu ku ka rrjedhë, një herë e në fillim.

Rrofshi e këndofshi përgjithmonë!

 

Ahmet Qeriqi

1.1. 2024

Shtime

 

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. Zholi

Albert Z. ZHOLI:  Dita Botërore e  librit dhe e kriza e së drejtës së autorit në Shqipëri

 Dita Botërore e  librit dhe e kriza e së drejtës së autorit në Shqipëri Shqipëria …